Qeveria e Kosovës njofton zyrtarisht se nënshkroi 13 marrëveshjet me Shqipërinë
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nënshkruar sot 13 marrëveshje. Marrëveshjet e nënshkruara janë të fushave të ndryshme. Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit janë nënshkruar gjithsej 41 marrëveshje me qeverinë e shtetit shqiptar. Në mëngjes, Rama njoftoi se i janë dorëzuar Qeverisë së Kosovës nënshkrimet e ministrave të Shqipërisë, për t’i finalizuar marrëveshjet, që kishin ngelur pezull nga muaji i shkuar, kur Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive.
Njoftimi i plotë nga Qeveria:
Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar ditën e sotme 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe deklaratë. Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka pasuar nënshkrimi nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.
Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.
Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit.
Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore.
Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.
Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.
Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.
Fraksion.com