AktualitetNATO/BETë fundit

Presidenti Biden rithekson mbështetjen për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti Joe Biden bëri një shfaqje publike të mërkurën të mbështetjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO, gjatë bisedimeve që zhvilloi me Kryeministrin e këtij vendi, Ulf Kristersson, në Shtëpinë e Bardhë.

Të dielën Presidenti Biden niset për një udhëtim në tre vende evropiane, mes të cilave ndalesa më e rëndësishme ajo në kuadër të takimit të nivelit të lartë NATO-s, që mbahet në Vilnius, të Lituanisë.

Gjatë takimit në Zyrën Ovale, me në krah zotin Kristersson, Presidenti Biden tha se donte të përsëriste mbështetjen e Uashingtonit për pranimin e Suedisë në NATO dhe se po priste me padurim që një gjë e tillë të ndodhte.

Zoti Kristersson falënderoi Presidentin Biden për ftesën dhe tha se Suedia “e vlerëson shumë” mbështetjen e tij në këtë proces.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, duke hequr dorë nga politika e mosangazhimit ushtarak pas sulmit rus në Ukrainë. Që një vend të bëhet anëtar i NATO-s, vendimi duhet të jetë unanim nga të gjithë anëtarët e aleancës. Por deri tani Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar protokollin e anëtarësimit të Suedisë.

Presidenti turk Tajip Erdogan akuzon Stokholmin se po strehon anëtarë të grupeve militante që Ankaraja i konsideron si terroristë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë punuar për të kapërcyer pengesat që ka krijuar Turqia në këtë proces. Zoti Erdogan është ankuar se mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Suedi, një parti që Turqia e ka shpallur të paligjshme, kanë vazhduar të organizojnë demonstrata dhe të financojnë ato që ai i quan, grupe terroriste. Zoti Erdogan e konsideron këtë një gjë të papranueshme për Turqinë.

Si pjesë e një marrëveshjeje të arritur mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës, Stokholmi ka miratuar një sërë reformash, përfshirë dhe një ligj të ri kundër terrorizmit, por megjithatë kjo duket se nuk e ka bindur ende Ankaranë.

Të enjten përfaqësues të Suedisë, Turqisë dhe NATO-s do të takohen në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje përpara takimit të nivelit të lartë të aleancës që mbahet javën e ardhshme.

 

Fraksion.com