AktualitetPolitikëTë fundit

Ligji për studentët e mjekësisë, Berisha: Po shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë! E keni marrë hua nga Kuba

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot qeverinë se pas shëndetësisë po shkatërron Fakultetin e Mjekësisë.

Në fjalën e tij në Parlament për ligjin e maxhorancës që i detyron studentët e Mjekësisë të punojnë për 5 vite në vend para se të zgjedhin të ikin jashtë, Berisha deklaroi se ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike, por në fakt ka në themel vjedhjen.

“Sot ndërkohë që po flas para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme kundrejt një akti absurd që revokon kohëra të shkuara më të zeza të këtij vendi studentët e fakultetit të Mjekësisë. Ju me procedurë të shpejtuar pa asnjë konsultim, jashtë çdo standardi të ligjbërjes keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë. Shkatërroni fakultetin e Mjekësisë. Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në fakt ai ka në themel vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni.

KLSH faktoi se vetëm në një vit keni vjedhur dhe shpërdoruar 138 mld lekë. Vetëm në një vit keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilën mund të rriteshin rrogat së paku me 170% të të gjithë shqiptarëve dhe ju në vend se të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri për të shërbyer në zona në të cilat ai ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, ka mundësi të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik në jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë se do shërbejë 5 vite në periferi, apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria.

 

Akti i tillë është i pashembullt. Ju u tallët me këtë sistem në kulmin e COVID-it një vend i zhvilluar më shumë se sa ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria vendosi rrogat të njëjtat me Republikën Federale Gjermane. Sigurisht që është e kushtueshme, sigurisht që është jo e lehtë, por është detyrueshme në qoftë se do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve”, tha Berisha.

 

Ai akuzoi më tej Ramën se ndërhyri brutalisht në SPAK për të mbrojtur ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për atë që ndodhi me COVID-19 dhe përfundoi e akuzuar Silva Bino.

“Kurse ju u tallët, i përdorët, për paradë, për të maskuar krimin tuaj të shëmtuar me të cilin ju jeni përgjegjës e mbi 20 mijë shqiptarëve nga COVID-i, ngjitjen e Shqipërisë në vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. Kur KLSH çon ministren në SKAP Edi Rama ndërhyn brutalisht dhe përfundon e akuzuar Silva Bino, ndërkohë që kur çdo gjë e drejtonte Manastirliu. Pra, pasi faktuat se kemi një sistem shëndetësor ndër më të shpartalluarit, tani doni të shpartalloni Fakultetin e Mjekësisë. Doni që ata të cilët kanë ëndërr të marrin diplomën e mjekut, të bëjnë gjithçka, të shkojnë në vende të tjera për t’u diplomuar dhe të mos diplomohen në Shqipëri për shkak të kamxhikut tuaj. Ky është një akt i turpshëm, është një akti i njerëzve të papërgjegjshëm, një akt armiqësor ndaj studentëve”, tha Berisha.

Ai i doli në mbrojtje studentëve dhe kërkoi tërheqjen e ligjit. “Kauza e studentëve të mjekësisë është e drejtë. Jeni të gatshëm të vidhni vitin tjetër 150 mld të tjera, në vend që të mendoni të kundërtën dhe të caktoni rrogat e mjekëve dhe t’i jepni vendit sistemi që meriton. E keni mirë ju, se nuk doni t’ia dini për përkeqësimin e treguesve shtetërorë nga viti në vit. Dhe thoni hajde votojmë ligjin për të ndëshkuar studentët. Kërkoj tërheqjen menjëherë të atij ligji”, u shpreh Berisha.

 

Fraksion.com