AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Nisma frenon largimet e mjekëve, në të mirë të interesit publik

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot projektligjin e miratuar nga qeveria që frenon largimin e mjekëve nga vendi.

Gjatët diskutimeve në Kuvend të këtij projektligji, Balla replikoi me deputeten e PD-së, Flutura Açka, ndërsa i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen “mish për top” për një gjë që i bën mirë interesit publik.

“Besoj që të dyja bëhen bashkë dhe tejkalojnë interesat e vogla. Po ju jap një shifër, janë 1200 mjekë shqiptarë të cilët kanë përfunduar studimet qoftë ato universitare apo të specializimit në Shqipëri dhe sot nuk ia ofrojnë këtë shërbim qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Sipas Ballës, “ky është një investim publik i Shqipërisë”.

“Ne duam që të mos mungojë mjeku. Për këtë na kanë sjellë shqiptarët këtu. Jam i sigurt që i shihni njerëzit si vota. Na duhet të kemi 2.6 mjekë për 1000 banorë. Jo vetëm që e përshëndes vendimin e qeverisë për ta përfshirë këtë politikë të rëndësishme, por ju jeni nga ato shembuj pozitivë se latë emigracionin për të kontribuar në Shqipëri”, iu drejtua ai deputetes Açka.

Balla theksoi se “duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar mungesat sipas nevojave”.

“Na duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar mungesat sipas nevojave. Është një investim publik dhe duhet t’i shërbejë qytetarëve. Ju s’keni për ta gjetur rrugën se mjafton dikush të tregojë pakënaqësi. Kolegët tuaj shkonin me kobure për të kundërshtuar ndaj një këndi lojërash. Heroi Klevis Balliu bllokonte rrugën te Astiri. Mos u bëni mish për top për një gjë që i bën mirë një interesi publik. Jeni në këtë sallë për interesin e shqiptarëve”, tha Balla.

 

Fraksion.com