“Zgjidhja për stabilitet është një zgjidhje politike”: Zyrtari i lartë i NATO-s shkon në Kosovë takon Kurtin dhe Osmanin
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën ka thënë se “është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit” dhe se “zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm është një zgjidhje politike”.
“Është gjithashtu thelbësore që të dyja palët të koordinojnë siç duhet veprimet në terren dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të dyja palëve që të angazhihen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe që sa më shpejt të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, Goffus, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit Albin Kurti.
Në takimin e Kurtit me Goffus, Qeveria e Kosovës tha se kryeministri ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” sa i përket arrestimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor kishte thënë se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.
“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.
Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë njëdebati në Parlamentin britanik.
Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.
Misioni i KFOR-it tha se ngjarjet që janë përmendur nga deputetja britanike i referohen vitit 2022 kur “një batalion i ushtrisë britanike ishte angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të NATO-s”.
Ky mision tha se për praninë e pretenduar të armëve të paligjshme është raportuar në shtabin e KFOR-it, por gjatë hetimeve të kryera nuk janë gjetur prova për kontrabandë.
Gjatë takimit me zyrtarin e lartë të NATO-s, kryeministri Kurti gjithashtu thuhet se ka përmendur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, duke thënë se ato kanë krijuar asimetri në dialog.
“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar”, thuhet në njoftimin për media nga Kryeministria.
Goffus takohet me Osmanin
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm në NATO-s për operacione u prit në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në njoftimin për media nga Presidenca e Kosovës, u tha se me Goffus, Osmani diskutoi për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për shtensionimin e gjendjes në këtë pjesë të vendit.
Presidentja Osmani ka theksuar në këtë takim se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit.
“Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, Osmani citohet të ketë thënë se institucionet e Kosovës mbeten “të përkushtuar ndaj përgjegjësive [që i kanë] si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale”.
Vizita e Goffus në Kosovbë vjen në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë të larta dhe bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje të vazhdueshme për shtensionim të kësaj situate.
Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.
Serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Nga përleshjet janë plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale./REL
Fraksion.com