Rama: Shteti, konkurrenti më i fortë në treg për pagat në sektorin e teknologjisë së informacionit
Kryeministri Edi Rama garantoi sot se shteti është konkurrenti më i fortë në treg për pagat në sektorin e teknologjisë së informacionit, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë për pozicione pune.
Përpara institucioneve publike u prezantuan sot produktet e para të përftuara nga “Shërbimi Satelitor”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Rama.
Rama u shpreh se këto pamje janë radiografi të pakontestueshme të organizmit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa theksoi se më e vështirë ishte krijimi i kapaciteteve për të vënë në përdorim këto imazhe dhe jo thjesht për të pasur fotografi të bukura.
“Me rritjen e pagave dhe me mbështetjen e veçantë që ne i japim atyre që kanë këto profesione dhe që bëjnë këto punë të veçanta sigurisht që është atraktive dhe nga pikëpamja e shpërblimit dhe është një moment, një mundësi këtu për t’i thënë të gjithë vajzave dhe djemve që janë në botën e teknologjisë se sot shteti është konkurrenti më i fortë në treg për pagat në këtë sektor”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se të punosh në agjencitë që merren me këto sisteme mund t’i përkasësh botës së teknologjisë së informacionit, por edhe mund të jenë inxhinierë, agronomë, njerëz të diplomuar për ato elementë që lidhen jo thjeshtë me leximin digjital të radiografisë, por pastaj edhe interpretimin dhe trajtimin.
“Këta njerëz kanë mundësinë që duke aplikuar të bëhen pjesë të skuadrës së ASIG-ut dhe patjetër të paguhen më mirë se në çdo kompani private, sipas pozicionit të punës. Ky është qëllimi dhe po kështu për të gjitha agjencitë e tjera, për AKSHI-n, për strukturat e inovacionit në ministri dhe në institucione qendrore”, shtoi ai.
Rama tha se është një paketë e re që është bërë gati dhe që së shpejti do kalojë, në mënyrë që asnjë i ri dhe asnjë e re me dije dhe formim në fushën e teknologjisë së informacionit të mos e shohë as largimin nga Shqipëria, as sektorin privat si dy mundësitë e vetme.
“Ne jemi këtu dhe u kemi garantuar një mundësi të tretë, që është mundësia, sot për sot, më konkurruese dhe në vitet në vijim mundësia më optimale. Kush do të punojë për shtetin shqiptar për të vënë në përdorim maksimal të gjitha këto sisteme, për të krijuar një Republikë në të cilën mbrojtja kibernetike, shërbimet digjitale, shfrytëzimi i imazheve hapësinore janë në nivel ekselence, do të paguhen më mirë sesa kudo tjetër në rajon dhe patjetër më mirë sesa kudo tjetër në sektorin privat”, tha ai.
Fraksion.com