Kremlini: Shkëmbimi i gazetarit amerikan Gershkovich me një të burgosur rus në SHBA, jashtë syve të publikut
Kremlini mbajti të martën të hapur mundësinë e kontakteve me Uashingtonin në lidhje me një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve, ku mund të përfshihet edhe gazetari i burgosur i gazetës Wall Street Journal, Evan Gershkovich, por ripohoi se bisedime të tilla duhet të mbahen jashtë syve të publikut.
I pyetur nëse vizitat konsullore të hënën tek gazetari Gershkovich, i cili është mbajtur pas hekurave në Moskë që nga marsi nën akuzat për spiunazh, dhe tek Vladimir Dunaevi, një shtetas rus në paraburgim në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për krim kibernetik, mund të paralajmërojnë një shkëmbim të burgosurish, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska dhe Uashingtoni e kanë prekur këtë çështje.
“Ne kemi thënë se ka patur kontakte të caktuara për këtë temë, por nuk duam që ato të diskutohen në publik”, tha zoti Peskov në një konferencë me gazetarët. “Ato duhet të kryhen dhe të vazhdojnë në heshtje të plotë.”
Ai nuk ofroi detaje të mëtejshme, por shtoi se “e drejta e ligjshme për kontakte konsullore duhet të sigurohet nga të dyja palët”.
Ambasadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy, u lejua të hënën të vizitonte gazetarin Gershkovich për herë të parë që nga prilli. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rusi nuk ka dhënë detaje rreth kësaj vizite.
31-vjeçari Gershkovich u arrestua në qytetin e Yekaterinburgut gjatë një udhëtimi në Rusi për përgatitjen e një reportazhi. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i njohur për kushtet e rënda. Një gjykatë në Moskë javën e kaluar la në fuqi një vendim për ta mbajtur atë në paraburgim deri më 30 gusht.
Evan Gershkovich është gazetari i parë amerikan që përballet me akuza për spiunazh në Rusi që nga shtatori i vitit 1986, kur Nicholas Daniloff, një korrespondent në Moskë i gazetës “US News and World Report”, u arrestua nga KGB-ja. Daniloff u lirua 20 ditë më vonë në një shkëmbim për një punonjës të misionit të Bashkimit Sovjetik në OKB, i cili u arrestua nga FBI-ja, gjithashtu nën akuza për spiunazh./VOA
Fraksion.com