Armë në kishat ortodokse, KFOR: S’ka dëshmi! Për kontrabandën janë përgjegjëse organizatat e sigurisë së Kosovës
Misioni i KFOR’it ka dalë me një shpjegim pas deklaratave të deputetes britanike, Alicia Kearns, e cila ka thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.
KFOR, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se “ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u angazhua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it”.
Tutje, ata bëjnë me dije se rasti ishte raportuar në Shtab.
“Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”, thekson KFOR’i.
Misioni ushtarak i NATO’s potencon se “nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”.
Sipas KFOR, për çështjen e kontrabandës është përgjegjëse Policia e Kosovës.
“Për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”, theksojnë ata.
Deputetja britanike, duke ngritur shqetësimet për sigurinë në këtë pjesë të vendit, tha se për këtë edhe qeveria britanike është në dijeni.
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka thënë ajo dje.
Fraksion.com