Makron premton pas trazirave “reagime thelbësore”
Ne na duhen “reagime dhe përgjigje thelbësore” tha presidenti francez Emanuel Makron pas ditëve të trazirave në vend. Në një takim me rreth 250 kryebashkiakë të qyteteve të prekura më tepër nga shpërthimi i dhunës, Makroni tha se gjërat që ishin praktikuar për dekada me radhë nuk duhet të përsëriten. I nevojshëme është një “reagim që t’i përgjigjet nivelit të asaj që përjetuam” – tha Makroni, i cili kërkoi që sfondi i ngjarjeve të fundit të “analizohet në detaje”.
Duke ju referuar protestuesve që janë kryesisht të mitur, Macron njoftoi se proceset gjyqësore do të zhvillohen më të shpejt. Po ashtu prindërit e të rinjve që kanë kryer krime do të “shoqërohen më mirë” nga punonjës të specializuar njëra anë dhe do të sanksionohen më me vendosmëri nga ana tjetër. Trazirat arritën kulmin, tha Presidenti, megjithëse në ditët dhe javët në vijim kërkohet ende kujdes. Ruajtja e përhershme e rendit ka prioritetin më të lartë, tha Makroni.
Zemërim ndaj shtetit
Pas vdekjes së 17-vjeçarit Nahel nga një plumb policie gjatë një kontrolli trafiku të martën javën e kaluar, Franca u trondit nga trazira të rënda. Në të gjithë vendin pati plaçkitje të përsëritura, zjarrvënie dhe konfrontime të dhunshme midis oficerëve të policisë dhe vandalëve. Deri tani janë arrestuar rreth 3,500 vetë. Prej akteve të dhunës dhe vandalizimit u dogjën më shumë se 12.000 automjete, u sulmuan, grabitën ose iu vu zjarri rreth 1.100 ndërtesave, ndër to shumë bashki dhe më shumë se 200 rajone policie.
Zemërimi, veçanërisht i shumë të rinjve nga zonat e lëna pas dore të qyteteve, drejtohej ndaj simboleve të Republikës Franceze, prandaj shpesh objekt i sulmeve të tyre ishin bashkitë dhe komisariatet e policisë.
Ndërkohë janë bërë të njohura shifrat e para për masën e dëmeve për zonën e Parisit. Sipas një vlerësimi fillestar të shoqërive të transportit dëmi është “të paktën 20 milionë euro”.
Situata tani është qetësuar disi dhe në shumë qytete para bashkive ka pasur edhe tubime solidariteti me kryetarët e bashkive. Megjithatë në të gjithë Francën janë ende në gjendje gatishmërie mijëra policë./DW
Fraksion.com