AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Faleminderit, Klintonët, Hilari nga Kosova në Tiranë për të surprizuar Presidentin amerikan

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjete sociale, një video me momentet më të spikatura nga vizita e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në Tiranë.

Pamjet në video fiksojnë nga momenti kur avioni i ish-presidentit amerikan Bill Clinton ulet  në tokën shqiptare, takimin me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar në Kryeministri, ceremoninë e veçantë dedikuar ish-presidentit amerikan dhe momentin e nderimit të tij me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”.

Videoja vijon me momentet kur fëmijë dhe të rinj nga Kosova udhëtuan drejt Tiranës për t’i falënderuar Presidentin për atë që bëri për Kosovën.

Ata ishin fëmijë, të rinj e të reja që mbajnë emrin e Clinton apo Hillary, bashkëshortes së Presidentit.

Kryeministri Rama e cilëson këtë moment “njësoj si me ëmbëlsirat”.

“Dhe në fund njësoj si me ëmbëlsirat, një falënderim të veçantë për Klintonët, Hilarit dhe vetë Billklintonin, që erdhën dje nga Kosova për t’i dhënë ngjarjes së rrallë përmasën e një zemre të madhe”, shkroi Rama.

Kjo ishte vizita e parë e presidentit të 42-të të SHBA-së në Shqipëri dhe Tirana ishte përgatitur për këtë vizitë historike duke zbukuruar rrugët kryesore me flamujt kuqezi dhe flamujt amerikanë.

 

Fraksion.com