Atentati në Fushë-Krujë:Makina e vrasësve me 3 kallashnikovë brenda, e vjedhur në Tiranë
Vrasësit e atentatit në fshatin Larushk të Fushë-Krujës kishin përdorur një automjet tip Volkswagen Golf 5 për të kryer ngjarjen kriminale.
Gazetari Spartak Koka ka mësuar se mjeti Golf është vjedhur në Tiranë disa kohë më parë. Pas atentatit, autorët e braktisën dhe e dogjën makinën në zonën e Lapidarit në Tapizë.
Forcat policore që shkuan në vendngjarje e gjetën mjetin në flakë. Makina ishte pa targa dhe brenda automjetit u konstatuan 3 kallashnikovë.
Këto armë u sekuestruan nga policia dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar.
Nuk është e qartë nëse në atentatin me 1 të vrarë dhe 2 të plagosur u përdorën 3 armët kallashnikovë. Kjo pritet të përcaktohet nga laboratori i Policisë Shkencore që do të kryejë testet balistike.
Grupi hetimor është duke mbledhur prova që mund të ndihmojnë për identifikimin e atentatorëve.
Policia bëri me dije mw herwt se rreth orës 12 pas mesnatës është qëlluar me kallashnikov ndaj pjestarëve të familjes së 42-vjeçarit Gentian Bejtja. Për pasojë ka mbetur i vdekur kunati i tij Ramazan Sino dhe ka mbetur i plagosur i biri 18-vjeçar Alvi Bejtja. Gentian Bejtja dyshohet se ishte objektivi i atentatit.
Fraksion.com