AktualitetPolitikëTë fundit

“Jam vërtetë pa fjalë”, Bill Clinton mban fjalimin historik në Shqipëri: Kam dashur gjithmonë të vij këtu

Presidenti i 42-të i SHBA-së, Bill Clinton deklaroi sot se, dikur Shqipëria ishte një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot është një derë e hapur.

Në fjalën e tij në ceremoninë e nderimit me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Edi Rama, Clinton u shpreh se, “për mua kjo nuk është thjesht një ditë, kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu, i cili nuk është më i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur rikonfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë, përtej dasive të tyre, marrin vendime më të mira. Njerëzit, të cilët ngulen dhe rrinë vetëm me një grup. Grupet marrin vendime më të mira edhe se gjenitë e vetëm dhe kjo është diçka që mund të vërtetohet. Ajo çka kam shumë për zemër tashmë është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të shkëlqyer, që gjërat bëhen bashkë në vend që të përçahen dhe ju ma keni bërë të qartë se jeni dakord me këtë”.

“Unë i dëgjova ata fëmijë dhe më lanë pa fjalë. Mos harroni. Nuk është për herë e lehtë. Mos harroni. Do të bëni gabime. Mos harroni. Dikush do të thotë diçka për ju që është e rreme, e pavërtetë dhe që nuk duhet ta thonë. Duhet të gjeni mënyrën sesi t’i përgjigjeni asaj”, tha Clinton.

Fjalimi i ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton:

‘Jam pa fjalë. Mendoj se po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do të thosha asgjë. Jam me të vërtetë pa fjalë. Kryeministër ministra, të ftuar e të gjithë popullit shqiptar që kanë qenë pjesë e kësaj dite të shkëlqyer dua t’ju falënderoj për këtë moment që do ta ruaj si një thesar për jetën time. Ka më shumë se 10 vite qëkur bashkëshortja ime erdhi këtu si sekretare e shtetit dhe gjithmonë e pyesja si po shkon pasi gjithmonë doja që të vija dhe ndjej se edhe pse jam një qytetar privat pa asnjë pushtet publik mund të flas për këtë çështje në emër të popullit amerikan. Lidhur me këtë, për partitë tona politike dallimet tona filozofike ndonjëherë edhe kundërshtive tona fetare ne jemi të angazhuar për lirinë forcë integritetin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Jam shumë mirënjohës për atë që kryeministri tha lidhur me Kosovën. Ai e di e shumë prej jush e dinë se unë dhe Hilary jetojmë në Nju Jork që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarë në Amerikë… i takoj gjithmonë në rrugë. Dua të tregoj diçka që kalova afër tre restorantet shqiptare dhe njerëzit dolën dhe më treguan axhendën e vizitës sime këtu në Tiranë. Jam e nderuar që është edhe bashkëshorti i vajzës sime këtu sot.

Kam parë këto më shumë se 30 vitet e fundit të Shqipërisë i mrekulluar, sepse kur isha i ri në universitet dhe studioja Luftën e Ftohtë, studioja botën komuniste, e shihja Shqipërinë në hartë dhe paraqitej në çdo orë mësimi si një mister i pamat, e mbyllur ndaj botës. Mos hyni! Dhe më kujtohet kjo kur isha 18 vjeç që i thoja vetes: A do të shkoj ndonjëherë aty? Pyesja veten se si duhet të jetë aty. Dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do të vija si President. Isha thjesht një njeri që vija nga një rrugë e gjatë. Në fakt doja të vija dhe të shihja historinë këtij vendi dhe të mendoja që ishte i mbyllur nga bota. Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe, thjesht duke ju thënë përshëndetje. Thjesht duke më lënë t’ju shoh. Sepse kam jetuar rreth njerëzve që janë përpjekur të ngrenë mure midis vetes dhe të tjerëve gjatë gjithë jetës dhe tani kjo kënga që këndohet në mbarë botën për rëndësinë e ndasive mund ta dëgjoj, ta ndjej dhe ta shoh. Dhe mund ta ndjej dhe ta shoh dhe kur s’është më. Në fakt kjo është më e shkuar në Shqipëri sesa në çdo vend ku unë kam qenë dhe duhet të jeni shumë krenarë që e keni bërë këtë. Jeni shpërblyer për këtë dhe do të shpërbleheni.

Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë! Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve, për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se tani kanë bërë një gabim, që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë, që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur këtë tension, ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë për qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet të votojnë. Bota po drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje ti tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithë përfshirëse.

Tani çdo njeri që përjeton vendin tuaj ndihet pak më i madh, pak më inteligjent, pak më i gatshëm për të qëndruar. E di që keni ende probleme ekonomike, jemi të vetëdijshëm se ka sfida për të cilat duhet ti bashkohen të tjerët për t’iu ndihmuar. Jeni njerëz, nuk mund të jeni të përsosur, por mund të jeni në anën e duhur të historisë. Për mua kjo nuk është thjeshtë një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu që nuk është më i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë që shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur rikonfirmohet koncepti se njerëzit kur bëhen bashkë marrin vetëm më të mirat. Ajo që kam më shumë për zemër është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të mirë. I dëgjova ata fëmijë dhe më lanë pa fjalë, mos harroni nuk është përherë e lehtë, do bëni gabime, do thonë diçka të rreme për ju, duhet të gjeni mënyrën se si ti përgjigjeni asaj, miku im Mandela ishte një gjeni për mënyrën sesi përballonte sulmet kundër tij. Çfarëdo dikush bënte thoshte, ai mendonte për mënyrën se si ngrihej mbi të. Dua t’iu kërkoj të vazhdoni kështu, na duhen modele.

Kur isha në një restorant në Nju Jork dhe një kamerier erdhi të merrte porosinë. Uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më tha falë teje familja ime është gjallë. Dhe njerëzit e tjerë me të cilat isha nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe u shpjegova se ishte shqiptar nga Kosova. Ai u çua foli pak për jetën familjare dhe tha vazhdoni kështu. Mos i hidhni njerëzit poshtë. Ju keni ndërtuar këtu diçka të lavdishme dhe bëni që njerzit që të vijnë këtu e që vendi i tyre te jetë më shumë si i juaji. Ju dikur ishit një derë e zymtë e mbyllur, ndërkohë tani jeni një derë e hapur.

 

Fraksion.com