Bill Clinton: Kosovarët shpresojnë tek ne ndaj ne s’mund t’i lëmë kurrë vetëm
Nga Bill Clinton*
Më lejoni t’ju them të gjithëve ju se unë erdha këtu sot së pari për të falënderuar dy grupe njerëzish, djemtë dhe vajzat tona me uniformë dhe familjet e tyre për shërbimin dhe sakrificat që ata po japin për ta bërë Amerikën te fortë. Para pak çastesh unë takova disa pjesëtarë të familjeve – gra dhe fëmijë të ushtarakëve të katër shërbimeve tona që tani shërbejnë larg vendit. Të gjithë këta ndodhen këtu në krahun tim të djathtë. Unë kam dëgjuar për sakrificat financiare dhe ato njerëzore. Nuk mendoj se ka ndonjë këtu që do ta shprehte më mirë se kjo zonja këtu pranë meje, me këtë fëmijën e bukur në kapelën e kuqe të cilit është shkruar “Babi, më ka marrë malli për ty.” Ju faleminderit!.
Unë doja të vija këtu sot sepse dëshiroj që Amerika ta dijë se sakrificat e bëra nga djemtë dhe vajzat e saj me uniformë duken tek familjet e tyre që i kanë lënë mbrapa, tek mungesa e shanseve për të qenë pranë grave, burrave dhe fëmijëve të tyre në ditëlindje dhe festa dhe me fëmijët e tyre natën dhe në mëngjes kur ata nisen për në shkollë. Ata edhe pse larg, i ndjejnë vështirësitë financiare që kanë familjet e tyre për të paguar faturat për kujdesin shëndetësor dhe nevojat e tjera të fëmijëve të tyre.
Amerika duhet ta dijë këtë dhe duhet t’u jetë shume mirënjohëse të gjithë juve. Ne të gjithë ju jemi mirënjohës ju dhe mendojmë se të gjithë amerikanët u janë mirënjohës, sepse ata e dinë se çfarë po bëni ju. Më lejoni gjithashtu të them që pata rastin të flas, pikërisht para se të vija këtu, me bazën tonë të avionëve gjuajtës që ndodhet në Aviano të Italisë, që po merr pjesë në operacionet luftarake të forcave aleate në Kosovë, për t’i falënderuar ata dhe për të dëgjuar prej tyre krenarinë e pafund dhe vendosmërinë në kryerjen e misionit. Unë e di që shumë njerëz që ndodhen këtu kanë miqtë dhe të afërmit e tyre të cilët po marrin pjesë në operacionet në Kosovë. Ky port ku ndodhemi ne sot është shtëpia e rreth 100 anijeve, jo vetëm e grupit të fuqishëm luftarak që janë aktualisht në det, të udhëhequra nga anijet Enerprise dhe Teodor Rusvelt, por gjithashtu e anijeve që ndodhen në Detin Adriatik destrojerët me raketa të drejtuara si Gonzales, nëndetëset për sulme të shpejta si Norfolk etj. Unë nuk mund t’i numëroj të gjitha anijet dhe repartet, por e di që të gjithë ju jeni krenar për ata të gjithë. Edhe njëherë tjetër më lejoni t’ju drejtoj një falënderim të veçantë familjeve të atyre që po veprojnë në Kosovë.
Më lejoni t’ju them që ne kemi harxhuar shumë kohë, mbase më shumë se ç’mendoni ju, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Pentagon, për të biseduar për detyrimet tona ndaj familjeve të pjesëtarëve të forcave tona të armatosura. E dimë që ne kërkojmë më shumë nga ju, sepse ne e kemi zvogëluar ushtrinë, por kemi shtuar numrin e operacioneve në të gjithë botën. E dimë që sa më shumë kërkojmë nga ju, aq më të mëdha janë përgjegjësitë tona. E dimë që ne ju detyrohemi shumë ju për t’ju mbështetur, stërvitur dhe pajisur që të jeni në gjendje të realizoni detyrat. E dimë gjithashtu që ju detyrohemi për pagat tuaja, strehimin dhe nevoja të tjera. Buxheti ynë për mbrojtjen përmban jo vetëm një rritje të pagës edhe një fond tjetër për ta mbajtur gatishmërinë të mprehur.
Është detyrimi ynë solemn për të gjithë ju që pranoni rreziqet dhe vështirësitë për sigurimin tonë të përbashkët.
Që kurse Lufta e Ftohtë ka përfunduar ne kemi kërkuar gjithnjë e më tepër ndaj Forcave tona të Armatosura, nga Gjiri Persik në Kore, nga Amerika Qendrore deri në Afrikë, për të qëndruar sot së bashku me aleatët në NATO kundër brutalitetit të pa treguar në Kosovë.
Tani kjo nuk është një sfidë e lehtë me një përgjigje të thjeshtë. Po të ishte kështu ajo do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Misioni që unë u kam ngarkuar Forcave të Armatosura për të kryer së bashku me aleatët e NATO-s është i rrezikshëm, ashtu siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur. Rreziku është një gjë që djemtë dhe vajzat trime të vendit tonë e kuptojnë sepse ju jetoni me atë çdo ditë, bile edhe në stërvitjet e zakonshme.
Tani ne të gjithë e dimë që dje tre djem të forcave tona këmbësore janë zënë rob ndërsa po kryenin një mision paqeruajtës në Maqedoni të mbronin atë vend fqinj me Kosovën nga violenca që mund t’i kanosej.
Nuk ka absolutisht asnjë bazë që ata të mbahen rob. Të gjithë amerikanët janë të shqetësuar për fatin e tyre. Presidenti Milosheviç nuk duhet të bëjë gabime:
Shtetet e Bashkuara dinë të kujdesen për veten e tyre. Presidenti Milosheviç nuk duhet të gabojë: Ne do të bëjmë atë dhe qeverinë e tij përgjegjës për sigurinë dhe fatin e tyre. Por unë ju kërkoj juve gjithashtu të jini të vendosur se ne do ta vazhdojmë të kryejmë misionin tonë me vendosmëri dhe këmbëngulje.
Në këto javët e fundit unë kam biseduar me popullin amerikan për t’i shpjeguar pse ne së bashku me aleatët tanë po veprojmë në Kosovë, pse ky mision është i justifikuar dhe për rreziqet që ky mision paraqet. Është veçanërisht e rëndësishme që unë të flas me ju dhe nëpërmjet jush me të gjithë ata djem e vajza me uniformë rreth kësaj çështjeje. Rrënjët e këtij konflikti gjenden në politikën e zotit Miloshevic, diktatorit të Serbisë. Për më shumë se dhjetë vjet ai i ka përdorur urrejtjet etnike dhe fetare si rrugë për pushtetin e tij personal dhe si justifikim për pastrimin etnik dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm. Këtë gjë është duke bërë ai tani edhe në Kosovë. Dhe këtë gjë ai do të bëjë edhe me popullin e tij dhe me fqinjët nëse ne dhe aleatët tanë do të qëndrojmë sehirxhinj.
Për muaj të tërë ne u munduam aq shumë për çdo alternativë të mundshme paqësore. Ne bëmë gjithçka mund të bëhej nëpërmjet diplomacisë për ta zgjidhur këtë problem. Nëpërmjet diplomacisë të mbështetur nga kërcënimi me forcat e NATO-s, në tetorin e vitit të kaluar ne arritëm një pushim zjarri, që shpëtoi nga i ftohti i dimrit dhe uria qindra mijra njerëz të cilët ai tani po i përzë me forcë nga shtëpitë dhe vatrat e tyre. Në shkurt, së bashku me aleatët dhe me Rusinë ne propozuam një marrëveshje paqeje e cila do t’i jepte popullit të Kosovës autonominë që ata gëzonin me kushtetutë para se zoti Milosheviç të vinte në pushtet.
Tani udhëheqësit e Kosovës e kanë firmosur marrëveshjen – bile edhe pse ajo nuk u jepte pavarësinë që ata kërkonin dhe për të cilën ata luftuan. Por zoti Milosheviç e refuzoi edhe këtë. Në të vërtetë ai ndërsa nga njëra anë pretendon për negociatat për paqen, nga ana tjetër ka çuar 40.000 trupa dhe qindra tanke brenda dhe përreth Kosovës, duke patur si qëllim një fushatë shkatërrimi dhe spastrimi. Ai e filloi këtë fushatë pikërisht në momentin që bisedimet për paqe përfunduan.
Tani trupat dhe policia e diktatorit serb janë sulur drejt Kosovës së brishtë e të pambrojtur duke ndarë burrat nga familjet e tyre, duke ekzekutuar shumë prej tyre me një gjakftohtësi të pashembullt, duke djegur shtëpi- disa herë, siç po dëgjojmë tani, edhe me njerëz brenda këtyre shtëpive, duke i detyruar të mbeturit të lenë çdo gjë duke u marrë atyre çdo dokument identifikimi, duke shkatërruar çdo shenjë me qëllim që të fshijë përgjithmonë historinë e trashëgiminë e tyre. Jo shumë larg, por pikërisht dje, Milosheviçi tha se ky problem mund të zgjidhet me negociata. Por po dje trupat e tij vazhduan të ndjekin e të kapin udhëheqësit kosovarë me të cilët ai ka patur negociata. Tani gati gjysmë milion kosovarë janë përzënë nga vatrat e tyre që nga fillimi i konfliktit. Ata të tmerruar nga ato që kanë parë dhe kanë hequr, kanë arritur në kufijtë e vendeve fqinjë.
Por ata shprehën sipas një delegacioni të shqiptarëve të Amerikës, se veprimet ushtarake të NATO-s u kanë dhënë atyre të paktën shpresën se nuk janë plotësisht të braktisur në vuajtjet që po heqin. Po të mos kishim vepruar ne, ofensiva serbe do të kishte qenë edhe më e pamëshirshme ndaj tyre. Ne e kemi llogaritur që ajo do të jetë me një çmim të lartë. Ne po veprojmë për të parandaluar një luftë edhe më të madhe. Po ta keni ndjekur fjalën time drejtuar popullit një natë më parë si dhe hartat që paraqita, do të shihni se Kosova është një vend i vogël. Por është një vijë që ndan Europën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, në vijën ndarëse mes Islamizmit dhe Kristianizmit, është pranë me aleatët tanë të Jugut, Greqinë dhe Turqinë, pranë me aleatët tanë të rinj, Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë në veri, kufizohet nga demokraci të brishta, të cilat mund të dynden nga vërshimi i refugjatëve që po shkakton Milosheviçi. Forcat serbe kanë bërë sulme dhe provokacione ndaj Shqipërisë që është në kufi me Kosovën. Po të mos vepronim ne dhe aleatët tanë, një konflikt edhe më i madh do të ndodhte dhe rreziqet do të ishin më të mëdha dhe me kosto më të madhe. Ne nuk mund t’i përgjigjemi çdo tragjedie në të njëjtën kohë dhe në çdo cep të globit. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë asgjë për askënd. Mos harroni: këto barbarizma po ndodhin në dyert e NATO-s, e cila i ka dhënë Europës për 50 vjet një aleancë të sigurtë midis SHBA-së dhe aleatëve tanë. Këto barbarizma janë një dhunim që Milosheviçi po u bën angazhimeve në interes të paqes që NATO, vendet e tjera të Europës dhe Rusia së bashku kanë ndërmarrë. Këto barbarizma po ndodhin ndaj atyre njerëzve që e duan paqen dhe premtojnë të ulin armët. Kosovarët shpresojnë tek ne ndaj s’mund t’i lëmë vetëm. Objektivi ynë është t’i kthejmë kosovarët në shtëpitë e tyre për të qenë të sigurtë dhe të vetëqeverisin. Fushata jonë e goditjeve ajrore synon t’i japë Milosheviçit shpagimin që meriton për politikën e tij aktuale të represionit e spastrimit etnik dhe të zvogëlojë ndjeshëm aftësinë ushtarake që e mban në këmbë këtë politikë.
Kemi shtatë ditë që po e bëjmë këtë gjë. Pilotët tanë kanë vepruar mirë dhe me trimëri, duke u përballur me rreziqe dhe shpesh me një mot të keq. Por duhet të jemi të vendosur dhe të duruar. Mos harroni: kur filluam këtë serbët kishin 40.000 trupa dhe 300 tanke në Kosovë, kishin një sistem të mbrojtjes ajrore të sofistikuar. Atje ekziston edhe një problem tjetër që për mëse një dekadë është bërë tepër shqetësues si rezultat i politikës së Milosheviçit, ai i ka detyruar njerëzit e ish Jugosllavisë të urrejnë njëri-tjetrin sepse u përkasin feve të ndryshme, sepse janë myslimanë e jo të krishterë, ortodoksë apo katolikë, sepse janë shqiptarë ose boshnjakë e jo serbë e kroatë. Kjo është diçka e tmerrshme. Këta njerëz kanë jetuar për dekada të tëra në paqe me njëri-tjetrin. Për mëse dhjetë vjet, një diktator kërkon të bëhet i fuqishëm duke e bindur grupin më të fuqishëm, serbët, se e vetmja mënyrë për të arritur synimet e tyre është që popujve të tjerë t’u shkulin rrënjët, t’i përçajnë, shkatërrojnë, vrasin sepse ata nuk kanë të njëjtat mjete shkatërruese si serbët, pa marrë parasysh pasojat që shkaktojnë përreth, pavarësisht se fëmijë dhe prindër vdesin, pavarësisht nga dëmet që u shkaktojnë vendeve të tjera.
Pse? Sepse ata duan pushtet dhe këtë pushtet duan ta mbështesin mbi një urrejtje etnike e fetare që po trondit mbarë botën sot. Kjo gjë është parë në Lindjen e Mesme, Irlandën e Veriut, në luftërat fisnore në Afrikë. Ky është një problem me të cilin po ballafaqohet bota sot. Kjo po ndodh edhe në pjesën më të pambrojtur të Evropës. Ne duhet të vendosim nëse do të mbajmë të njëjtin qëndrim me aleatët tanë të NATO-s, nëse jemi të përgatitur të paguajmë çmimin e kohës dhe ta detyrojmë atë të paguajë çmimin e agresionit dhe të vrasjeve që ka kryer e po kryen. Millosheviçi shpesh herë i justifikon veprimet e tij duke folur për historinë e serbëve, duke u kthyer në shekullin e 14-të. Unë e vlerësoj historinë e këtij vendi, ashtu siç vlerësoj edhe atë që ka ndodhur këtu tek ne në shekullin e 18-të. Por kurrsesi nuk dua ta kthej Amerikën në shekullin e 18-të. Ai po vepron ta kthejë Serbinë në shekullin e 14-të, në vlerat e shekullit të 14-të, me mënyrat e trajtimit të njerëzve si në shekullin e 14-të. Jemi në prag të shekullit të ri dhe të mijëvjeçarit të ri, ku njerëzit e vendeve të varfra në mbarë botën, si rezultat i teknologjisë dhe internetit dhe përhapjes së informacionit do të kenë mundësi që përpara të gëzojnë mirëqenien, t’iu japin fëmijëve të tyre arsimim dhe të kenë një të ardhme të denjë vetëm nëse ata do të jetojnë në paqe dhe vlerësojnë njeri-tjetrin. Ajo që po bën Milosheviçi është jashtë çdo arsye dhe ndjenje njerëzore.
Mund të pyesim: Çka të bëjë kjo me Amerikën?
Mos harroni: Ne morëm pjesë në dy luftëra në Evropë. Mos harroni se uniteti, liria, prosperiteti, paqja në Evropë është e rëndësishme për të ardhmen e këtyre fëmijëve që ndodhen sot këtu në këtë sallë. Kjo është në fund të fundit arsyeja. Këtë ne nuk po e bëjmë vetëm dhe nuk mund ta kishim ndërmarrë vetëm. Ne po e bëjmë këtë me aleatët tanë të NATO-s. Edhe ata, janë atje, në ajër. Derisa ekziston një marrëveshje paqeje, ne kemi rënë dakord të sigurojmë 5 % të trupave në tokë për monitorizimin e kësaj marrëveshjeje dhe të mbrojnë të gjitha grupet etnike, përfshirë dhe serbët.
Ne po e bëjmë këtë duke u përpjekur për të shmangur një shtrirje të luftës në shekullin e 21-të, për të shmangur viktimat dhe fatkeqësitë e panumërta që pamë në shekullin që po lemë pas. Pra, kjo nuk është thjesht një paqe e pjesshme që i përket vetëm Ballkanit. Më lejoni t’ju kujtoj diçka. Kur të gjithë ne u prekëm nga gjendja e vështirë e tre ushtarëve tanë, kur natën me shpresën se grupet e shpëtimit do të gjenin atë pilot të mirë që u hodh mbas goditjes së avionit ë tij, ose kur lexojmë shprehje të tilla si “ Unë e dua marinarin tim TR”, apo “Me ka marrë malli për babin tim”, menjëherë na vjen ndër mënd se të gjitha vendimet politike e ushtarake kanë brenda tyre diçka njerëzore që i bën ato të veçanta.
Mendoni për një çast se si do të ndjeheshit ju po të ishit pjesë e atij gjysmë milioni njerëzish që kanë jetuar në paqe në një vend që duan vetëm të përdorin gjuhën e tyre, fenë e tyre, të edukonin fëmijët e tyre, të bënin punën e tyre, por që u vajtën në shtëpitë e tyre dhe u thanë: “Mblidhni plaçkat dhe ikni! Do t’ju djegim çdo dokument të pronave dhe të identitetit tuaj!” dhe nëse burri ose djali juaj, do të ishte në një moshë për shërbim ushtarak ta hiqnin mënjanë e ta vrisnin. Dhe e gjithë kjo sepse ju keni një fe dhe një kulturë tjetër etnike. A do ta donim këtë ne për fëmijët tanë në shekullin e 21-të?
Ja, ky është rreziku. Vërtet ne nuk mund të bëjmë çdo gjë në botë, por duhet të bëjmë atë që mundemi. Kurrë s’duhet të harrojmë holakustin, genocidin, masakrat e shekullit të 20-të. Nuk do të dëshironim kurrë që shekulli i ri të na sjellë ëndrra të tmerrshme, por me një pamje tjetër.
Gjithashtu do të thosha se sa krenare është SHBA-ja kur të 19-të shtetet anëtare të NATO-s e mbështesin misionin në Kosovë njëzëri. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Më lejoni së fundi t’ju them edhe diçka tjetër. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Presidenti Roosvelt kishte përgatitur një fjalim për ta mbajtur me rastin e një dite feste për nder të Tomas Jeffersonit. Ai nuk e mbajti atë fjalim, por fjalët dhe kuptimi i këtij fjalimi kanë kuptim dhe vlera për ditët e sotme, sidomos fjalët e fundit. Do të doja që këtyre t’u kushtonin vëmendje si ata që kanë veshur uniformën dhe prestarët e familjeve të tyre.
Ja cilat ishin fjalët e Roosveltit, të cilat siç thashë ai kurrë nuk nisi t’i thotë: “Ne amerikanët nuk u shmangemi përgjegjësive tona, por as nuk mënjanojmë vendosmërinë që në jetën e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë të mos ketë një luftë të tretë botërore. Ne kërkojmë paqe, paqe të qëndrueshme. Më tepër se një fund lufte, ne duam një fund të fillimit të gjitha luftërave”. Këtë po arrijmë në Kosovë. Këtë arritën shumë prej jush që jeni në këtë sallë dhe kolegët tuaj në Bosnjë. Duam të përfundojmë një luftë që ka nisur në Evropë dhe të parandalojë një luftë më të madhe. Duam të zbusim dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të pambrojtur. Le t’i kushtojmë vëmendjen fjalëve të fundit të Roosveltit. Më lejoni të përsëris edhe njëherë për të gjithë ata që janë në shërbim dhe familjet e tyre, si dhe për ata që sakrifikojnë për burrat, gratë e fëmijët e tyre.
Ju faleminderit për shërbimin dhe sakrificën tuaj. Edhe Amerika ju falënderon.
Zoti ju bekoftë!
Shënim: Kjo është fjala e Presidentit Klinton, mbajtur në Bazën detare të Norfolkut në Virxhinia. Marrë nga libri “Operacioni Ajror i NATO-s në Kosovë” , me autor ish kolonel Vait Golikja
Fraksion.com