AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Autoritetet e Kosovës, duhet të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteve të Kosovës”.

Kryeministri deklaroi në një intervistë për një televizion shqiptar nga Ulqini se “bashkësia euroatlantike, BE me mbështetjen aktive të SHBA-së, kanë sjellë një proces shumë të vështirë në një pikë realisht të shumëpritur për shqiptarët dhe Kosovën”.

“Pas kësaj, Kosova, autoritetet e Kosovës, qeveria e Kosovës, Albin Kurti, duhet të kapen fort për t’ja dalë që të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve të gjysmës së botës dhe t’ja dalin që më në fund të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë”, tha Rama.

Sipas tij, “ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtrëngojë Serbinë që të pranojë më në fund heqjen dorë ‘de facto’ nga Kosova”.

“Pasi ka bërë gjithë këtë përpjekje, pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit, që është një sjellje dhe qasje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të mos ishin disa vite përpara dhe sikur ky proces të mos kishte ndodhur. Në kohën kur ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtrëngojë Serbinë që të pranojë më në fund heqjen dorë ‘de facto’ nga Kosova dhe hapjen e rrugës për njohjen e të gjithë të tjerëve që detyrimisht pastaj do të çojë në njohjen formale të Serbisë”, tha ai.

Rama u shpreh se “është e pashpjegueshme se çfarë kërkojnë autoritetet e Kosovës që i kundërvihen këtij procesi duke bërë në mënyrë të pavetëdijshme diçka shumë të rëndë”.

“Është fakt i hidhur se ky konflikt, kjo pengesë monumentale në rrugën e procesit, bën vetëm lojën e dikujt tjetër, që nuk është BE, SHBA, Shqipëria, interesat e kombit shqiptar, nuk janë interesat e popullit të Kosovës, lojën e Kremlinit. Në mënyrë të pavetëdijshme, e përsëris, por është shumë e rëndë”, tha Rama.

Kryeministri tha se Albin Kurtin në këtë rast nuk e mirëkupton dot dhe ky është një ballafaqim i hapur për një interes shumë të madh që nuk është vetëm interesi i Kosovës, por është interesi i kombit shqiptar.

 

Frajsion.com