AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nga 3 korriku mbyllen sportelet e Kadastrës, shërbimet përmes e-Albania

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se nga dita e hënë, 3 korrik, Kadastra nuk do të jetë më e aksesueshme për publikun, pasi shërbimet do të merren përmes platformës e-Albania.

Në prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Kryeministri informoi se nga e hëna, 3 korrik, mbyllen sportelet e Kadastrës dhe mbaron regjimi 30 vjeçar i letrave, vulave, shefave”.

Sipas tij, “gjithçka do të jetë online me nënshkrim e me vulë elektronike”.

“Praktika, ‘të paguash për të marrë shërbimin apo të shërbesh duke u paguar’, do të arkivohet si pjesë e historisë së dhimbshme të së shkuarës”, theksoi Rama.

Sipas tij, “nga e hëna, në 3 korrik, Kadastra do të jetë një makineri dixhitale”.

“Nga e hëna, 3 korrik, askush prej jush nuk do të bëjë dot asnjë gjë në Kadastër sepse askush nuk do t’ju përgjigjet edhe sikur të dojë, sepse nuk do të ketë gjë në dorë. Nga e hëna, në 3 korrik, Kadastra do të jetë një makineri dixhitale dhe punonjësit aty brenda, të cilët edhe kanë filluar të largohen, nuk devijojnë dot në asnjë drejtim sipas dëshirës asnjë gjë”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se nga 3 korriku, qytetari nuk do të mund të zgjedh dot se cili punonjës do të trajtojë kërkesën e tij.

“Punonjësi i Kadastrës në Shkodër do të ketë para në kompjuter një rast për të trajtuar në Delvinë. Punonjësi i Kadastrës në Gjirokastër do të trajtojë rastin e një prone në Tropojë. Qytetarët të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret më askush, njësoj si në Bankën e Shtetit”, tha Rama.

Ai theksoi se nga 3 korriku, Kadastra do të jetë një dritare përmes platformës e-Albania.

“Aty bëhen aplikimet, aty merren përgjigjet, aty vjen dokumenti me vulën e nënshkrimin elektronik. I pandryshueshëm, i pamanipulueshëm, i patjetërsueshëm. Jo vetëm kaq, por sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar për të marrë përgjigje do të shohë se ku është ecuria e procesit”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com