AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ndjesë në emër të PS-së të gjithë shqiptarëve që kaluan në zinxhirin e torturave në Kadastër

“Dua ta them me gojën plotë dhe kokën ulur se sot është dita për t’i kërkuar një ndjesë shumë të madhe në emër të Partisë Socialiste të gjithë atyre shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Rama theksoi se “kjo është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore”.

“Natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë në radhë të parë që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët. Që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta, ku nga porta kryesore futen udhëheqësit, pastaj nga të tjerat futen të gjitha llojet e kategorive”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se është e vërtetë që Kadastra është institucioni i vetëm në Republikën e Shqipërisë që bashkëjeton me kërcënimet nga të katër anët.

“Kjo ndjesë sot është një ndjesë që mezi kam pritur të vijë dita ta bëj, por nuk e kam bërë më parë se e kam ditur se nesërmja do të vazhdojë të jetë njësoj”, tha Rama, ndërsa theksoi se mezi ka pritur që shërbimet e Kadastrës të kalojnë përmes platformës e-Albania.

 

Fraksion.com