Lista Serbe pas vendimit për shpalljen e organizatave terroriste: KFOR-i dhe EULEX-i të pengojnë planin e Kurtit
Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve.
“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, duke argumentuar se këto organizata qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.
Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.
Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – organizata që veprojnë në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe – numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.
Në mbledhjen e Qeverisë, kundër këtij vendimi ka votuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka argumentuar se ky vendim i ekzekutivit është i nxituar.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta për këtë vendim, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Që nga përfundimi i luftës më 1999, në Kosovë operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe financuara nga shteti i Serbisë.
Njëra ndër to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht më 2011.
“Mbrojtja Civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.
Shuarja e saj është paraparë në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkaq, në gusht të vitit 2022, në pjesën veriore të Kosovës u shfaqën grafite me një log dhe mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.
Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.
Shpallja e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur.
Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.
Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri./REL
Fraksion.com