AktualitetNATO/BETë fundit

“Paqëndrueshmëria e brendshme e Rusisë”, Borrell: Një Putin më i dobët është një rrezik më i madh

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sa ‘më i dobët’ të jetë presidenti rus, Vlladimir Putin, aq më shumë do të përbënte një “rrezik më të madh”. Borrell i bëri këto komente pasi rebelimit të grupit mercenar rus Wagner që shkaktoi krizën më të madhe politike në dekada në Rusi, vendin e armatosur bërthamor.

“Një Putin më i dobët është një rrezik më i madh. Kështu që ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për pasojat”, tha Josep Borrell.

“Deri tani ne e shikonim Rusinë si një kërcënim, sepse ishte shumë fuqi dhe fuqia është përdorur në Ukrainë. Tani ne duhet ta shikojmë Rusinë si një rrezik për shkak të paqëndrueshmërisë së brendshme”, u tha Borrell gazetarëve.

Putin u përball me sfidën më të madhe që kur erdhi në pushtet në vitin 1999, pasi shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, udhëhoqi një kryengritje fundjavën e kaluar.

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, tha se rebelimi do të çonte në “kundërgoditje” dhe këmbënguli se ishte “e rëndësishme që të dyfishonin mbështetjen për Ukrainën, qoftë kjo aftësi ushtarake apo mbështetje financiare”, raporton AFP.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, vuri në dukje “çarjet dhe ndarjet” në Rusi, të ekspozuara nga veprimet e grupit mercenar Wagner, por ai paralajmëroi se ishte “shumë herët për të nxjerrë ndonjë vlerësim përfundimtar”.

Stoltenberg shtoi se pret njoftime të reja për mbështetje ushtarake për Ukrainën gjatë një takimi të NATO-s muajin e ardhshëm në Lituanisë.

Borrell tha gjithashtu se Evropa duhet të mbështesë Ukrainën në plan afatgjatë, duke mbështetur vendin “gjatë luftës dhe më pas”.

 

Fraksion.com