Më shumë se 100 milionë amerikanë në rrezik pasi përhapet tymi i zjarreve kanadeze
Gati një e treta e amerikanëve përjetuan cilësi të dobët të ajrit të enjten pasi tymi nga zjarret e zgjatura kanadeze mbushi qiejt mbi pjesën qëndore dhe lindore, duke shkaktuar kushte jo të shëndetshme dhe, në disa raste, të rrezikshme.
Alarmet për cilësinë e ajrit ishin në fuqi deri në mesnatë për një pjesë të Shteteve të Bashkuara që shtrihet nga shteti Uiskonsin dhe Illinoi verior deri në Miçigan dhe deri në Nju Jork dhe Bregun Lindor, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Më shumë se 100 milionë amerikanë u kërkuan të kufizojnë aktivitetet e zgjatura në natyrë dhe, nëse e nevojshme, të mbajnë një maskë nëse vuajnë nga sëmundje pulmonare ose të rrugëve të frymëmarrjes. Fëmijët dhe të moshuarit gjithashtu u këshilluan që të minimizojnë ose shmangin aktivitetet e vështira.
Njerëzit që jetojnë në qytetet kryesore të SHBA-së si Nju Jorku, Çikago dhe Filadelfia mund të shohin qiej të turbullt dhe të nuhasin tymin gjatë gjithë ditës.
“Merrni masa paraprake të enjten. Nëse keni probleme shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes si astma, zvogëloni kohën tuaj jashtë,” tha kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams në Twitter.
Të enjten në mëngjes, një qiell i ngrysur mbuloi Çikagon për të tretën ditë me radhë. Cilësia e ajrit ishte “e pashëndetshme” në qytetin e tretë më të madh në Shtetet e Bashkuara, i cili kishte ajrin më të ndotur se çdo qytet i madh në planet, sipas IQAir.com, që gjurmon ndotjen.
“Cilësia e ajrit në Çikago ka qenë e tmerrshme, duke më shkaktuar migrenë brutale. Ndihem më mirë sot me pastruesin tim të besueshëm të ajrit në aktivitet të plotë. Duke kaluar një ditë të ftohtë”, tha një përdorues i Twitter-it me emrin Skaar.
Sinjalizimet për cilësinë e ajrit u shkaktuan nga tymi i dalë nga zjarret që digjen në Kanada, e cila po lufton me fillimin më të keq ndonjëherë të sezonit të zjarreve.
Një sipërfaqe prej 8 milionë hektarësh, më e madhe se Virxhinia Perëndimore, tashmë është djegur. Të mërkurën, pati 477 zjarre aktive, rreth gjysma e të cilave u konsideruan jashtë kontrollit, të përhapura nga Paqësori në brigjet e Atlantikut.
Ndërsa cilësia e dobët e ajrit ishte shqetësimi në qëndroe dhe lindore, jugu i SHBA-së po përballej përsëri me një valë brutale të të nxehtit që premtoi të vazhdonte gjatë gjithë ditës të enjten dhe në fundjavën e gjatë të festave të 4 korrikut.
Indeksi i nxehtësisë – i cili mat sa nxehtë ndihet për shkak të kombinimit të lagështisë dhe temperaturës – pritej të ngjitej në 38 C dhe në disa zona deri në 46 C. Shërbimi i motit u bëri thirrje njerëzve të kërkojnë hapësira me ajër të kondicionuar dhe të pinë shumë ujë./VOA
Fraksion.com