AktualitetKosovaTë fundit

Kurti reagon pas masave ndëshkuese të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pavarësisht se Komisioni Evropian më 28 qershor ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës, Prishtina vazhdon të jetë partnerja “më e sinqertë dhe më e qëndrueshme në rajon” e bllokut sa i përket vlerave evropiane.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor, Kurti tha se Kosova në disa raste ka qenë kritike ndaj BE-së, por “asnjëherë cinike dhe as e hidhëruar”, duke shtuar se autoritetet nuk janë të hidhëruara as pas prezantimit të masave ndëshkuese.

“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e Bashkimit Evropian përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti i ynë. Bashkimi Evropian është fati ynë”, tha Kurti.

Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të shpallin disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.

Në mesin e masave ndëshkuese pritet të jetë pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu, është paralajmëruar se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe ato mund të hiqen në rast se Kosova ndërmerr hapa drejt shtesnionimit të situatës.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga fundi i majit. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

Bashkimi Evropian i ka parashtruar disa kërkesa Kurtit sa i përket tensioneve. Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit; Kurti që t’i tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga zonat rreth objekteve komunale, ku gjenden aktualisht; kryetarët e zgjedhur shqiptarë, të punojnë përkohësisht në ndërtesa alternative, e jo në ato komunale dhe rikthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kurti ka dalë me një plan të tij prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Megjithatë, kryeministri kosovar ka thënë se parakusht për mbajtjen e votimeve është shteti ligjor./REL

 

Fraksion.com