AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Situata në veri të Kosovës, Rama: Nuk duam të shohim thyerje në rajon, shpresojmë që logjika të mbizotërojë

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se çdo përshkallëzim në veri të Kosovës mund të sjellë një fund katastrofik, ndërsa nënvizoi se “duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë suksese”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Holandë, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, si dhe disa kryetarë shtetesh e qeverish nga vende anëtare të NATO-s, Rama u shpreh se është shumë frymëzuese që të jesh pjesë e NATO-s në këtë kohë.

“Po ashtu, që të shohim që solidariteti, afrimiteti dhe vullneti për të qenë me Ukrainën deri në fund është i palëkundur. Kushdo që mund të vërë bast mbi shanset për të thyer këtë solidaritet dhe për të ndarë NATO-n ka humbur dhe do të humbasë deri në fund”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se “ne gjithashtu mund të diskutojmë edhe për situatën shqetësuese në Ballkanin Perëndimor”.

“Në mënyrë më precize në Kosovën veriore ku disa javë më parë ushtarët e KFOR-it u lënduan. Shpresojmë shumë që logjika të mbizotërojë dhe ulja e përshkallëzimit të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse çdo përshkallëzim mund të sjellë një fund katastrofik dhe ne nuk duam të shohim një thyerje në rajonin tonë, që ka bërë shumë punë të mirë deri tani”, tha ai.

Në të njëtën kohë, Rama u shpreh se “duam të shikojmë që dialogu i BE-së të arrijë suksese dhe ne të kemi mbështetjen e plotë të NATO-s që është përgjegjëse për praninë e KFOR-it, si një prani instrumentale dhe kryesore për sigurinë”.

I pyetur nëse ka disktuar me Stoltenberg për këtë çështje, Rama u shpreh: “Thjesht dhe vetëm për ta bërë të qartë, unë thjesht deklarova që perspektiva e krijimit të një Donbasi të vogël në mes të Europës për shkak të një përshkallëzimi është një kërcënim real dhe ne të gjithë duhet të bëjmë atë çfarë duhet të bëjmë për ta parandaluar, duke nxitur nga njëra anë dialogun, duke e sjellë atë në një nivel më të lartë në BE me mbështetjen e SHBA-ve dhe nga ana tjetër duke e bërë të qartë nëpërmjet NATO-s, që KFOR do të jetë aty për të garantuar integritetin e plotë dhe stabilitetin në rast të ndonjë ndërprerje që mund të ndodhë saktësisht për shkak të një përshkallëzimi të papërgjegjshëm”, tha ai.

“Ky është shqetësimi im, e ndava. Dhe e ndava dhe në Bruksel dhe këtu që të gjithë e kuptojnë, që është koha për të vepruar dhe për të mos lejuar këtë spirale absurditeti të hedh poshtë çfarë kemi ndërtuar deri tani me ndihmën e BE në rajon”, shtoi kryeministri.

 

Fraksion.com