Thyen masën e sigurisë, shpallet në kërkim amerikania. Si nisën hetimet për mashtrim dhe dokumenti fals i CIA i zbuluar në banesë
Prokuroria e Sarandës ka lëshuar një urdhër ndalimi për shtetasen amerikane 45-vjeçare Kelly Grigg. Ajo u arrestua në 23 shkurt të një viti më parë pas një kontrolli banese të policisë se Sarandës, e cila në operacion bashkëpunoi edhe me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield” si dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyra e Hetimeve Kriminale (DSS/OCI e Ambasadës Amerikane në Shqipëri). Arrestimi i Grigg u bë pasi në banesë iu gjet një sasi shumë e vogël “ekstazi” dhe mbetje “kannabis sativa” si dhe një thikë. Gjykata e Sarandës e liroi atë duke vendosur masën e sigurisë “garanci pasurore” në shumën 8 mijë euro dhe “detyrim paraqitje”.
Megjithatë Grigg duket se nuk e ka respektuar këtë masë, duke detyruar Gjyqtaren Suela Xhani që më 14 qershor, me kërkesë të Prokurorisë, të ndryshojë masën duke caktuar tashmë “Arrest në burg”. Prokuroria ndërkohë ka lëshuar urdhër ekzekutimin e kësaj mase, duke bërë qe policia e Sarandës ta shpallë në kërkim Grigg. Sipas Prokurorisë, nga verifikimet në sistemin TIMS, rezulton se në 18 mars Grigg është larguar nga Shqipëria përmes Rinasit duke mos u kthyer më. Edhe pse avokati i saj tha se ajo ka qenë korrekte me zbatimin e masës, por siç ka vënë ne dijeni Gjykatën në një seancë, ka pasur nënën të sëmurë në gjendje të rëndë, kjo nuk e ka bindur Prokurorinë e Gjykatën për të mos ndryshuar masën e sigurisë, raporton BalkanWeb.
Zbulohet e vërteta e arrestimit të amerikanes Kelly Grigg
Edhe pse arrestimi i amerikanes Kelly Grigg në 2022, u tha se erdhi pasi një kontrolli banese që zbuloi drogë dhe armë të ftohtë, motivet e mësymjes se policisë në banesë ishin krejt të tjera. Sipas dosjes hetimore “Fillimisht më datë 24.11.2021 Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë ka regjistruar procedimin penal nr.772 të vitit 2021 për veprat penale “mashtrimi” kur ka sjellë pasoja të rënda dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në formën e shitjes, ku objekt i hetimit të këtij procedimi penal ka qenë veprimtaria e kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë nga ana e shtetasit Robert Preston, 60 vjeç. Në mënyrë më konkrete, veprimtaria e shtetasit amerikan Robert Preston lidhet me përdorimin nga ana e tij të dokumenteve të prodhuara në rrugë elektronike, ndër të tjerë edhe të dokumenteve të emërtuara “Service Agreement” dhe “Promissory Note” të hartuara në gjuhë angleze, të cilat mbajnë nënshkrimin elektronik të shtetasit amerikan Robert Preston, dokumente këto të cilat i ka përdorur në rrugë komunikimi elektronik apo dhe të komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera, nga informacionet e siguruara edhe me aplikimin e metodave speciale të hetimit, është arritur të mësohet se shtetasi amerikan Robert Preston e konsideron shtetasen amerikane Kelly Grigg si njëri shumë të afërt dhe të besueshëm të tij, shtetase kjo që dyshohet se është në dijeni edhe të faktit që shtetasi amerikan Robert Preston kish arritur të mashtronte persona të ndryshëm me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme parash. Shtetasja amerikane, Kelly Grigg përgjatë viteve 2021-2022 ka banuar në një apartament në rrugën “Lefter Talo”. Në këtë banesë, sipas informacioneve të siguruara, janë formësuar dyshime se mund të gjendeshin dokumente (kontrata) me përmbajtje të falsifikuara dhe me logot të institucioneve të SHBA-së, si dhe një armë zjarri tip pistoletë, sende këto që dyshohet se shtetases amerikane, i janë dhënë nga shtetasi Robert Preston me qëllim për t’ju shmangur një kontrolli të mundshëm dhe të befasishëm që mund t’i bëhej nga agjencitë ligjzbatuese, pasi dyshohet se kishte marrë dijeni nga shtetasja amerikane Denyce Serkin që e kishte kallëzuar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Nga informacionet e siguruara ka rezultuar gjithashtu se dokumentet për të cilat është dyshuar se mund të gjendeshin në apartamentin e shtetases amerikane, janë përdorur nga shtetasi amerikan Robert Preston me qëllim mashtrimin e personave të ndryshëm për arsye përfitimi material duke u prezantuar si punonjës i Departamentit Amerikan të Shtetit apo agjent sekret i shërbimeve të ndryshme të SHBA-së. Ndodhur në këto rrethana, në kuadër të hetimeve paraprake për këtë procedim penal, Prokurori ka vlerësuar të domosdoshëm edhe ushtrimin e kontrollit në apartamentin e shtetases amerikane. Kështu më datë 23.02.2022 është ushtruar kontroll në apartamentin e shtetases amerikane Kelly Grigg, gjatë të cilit është bërë e mundur të gjenden dhe të sekuestrohen me cilësinë e provës materiale 7 kokrra të cilat të dyshuara si “ekstazi”, 1 kuti brenda së cilës kishte mbetje “canabis sattiva” dhe 1 thikë metalike.
Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës shtetases amerikane, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale edhe 1 dokument me mbishkrimin “Coast Guard of the United States” me numër “197986 në emër të shtetasit Robert Preston, 1 dokument me mbishkrimin “Central Intellegence Agency” (CIA) me numër “197986” në emër të shtetasit Robert Preston, dokumente këto që u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t’ju nënshtruar ekzaminimit teknik grafik, ku referuar aktit të ekspertimit teknik dokumentesh nr.8899 datë 14.07.2022 rezulton se “dokumentet ID në emër të shtetasit Robert Preston, objekte ekspertimi, janë tërësisht të falsifikuar”./BW
Fraksion.com