AktualitetPolitikëTë fundit

Ish ministri Arben Ahmetaj paraqitet në SPAK

Ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj, aktualisht deputet është paraqitur në SPAK këtë të enjte, ndërsa dyshimet e para në lidhje me këtë vizitë lidhen me dy procedimet penale ndaj tij.

Ai ka mbërritur i pashoqëruar nga një avokat, në pamje dukej i qetë dhe mbante në dorë një dosje, ndërsa kalon pragun e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj zyrtarisht është nën hetim nga SPAK për 4 akuza. Prokuroria e Posaçme po e heton Ahmetajn për veprat penale që i përkasin dy procedimeve penale, të cilat janë bashkuar në një të vetme.

Për çështjen e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre”. Ndërsa për një tjetër kallëzim për pasurinë e tij ai po hetohet për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë”.

Hetimet për Ahmetajn kanë nisur që në 19 shtator të vitit të kaluar por ankimimi i kryer në gjykatë nga mbrojtësit e tij për kontrollet e ushtruara në banesat e tij dhe të bashkëjetueses më 8 mars faktoi bashkimin e 2 procedimeve dhe hetimin e tij për 4 vepra penale.

Emri i Arben Ahmetajt u lakua në inceneratorin e Elbasanit, pasi në kompjuterin e Klodian Zotos u zbuluan të dhëna që tregojnë se si i kërkuari në kulmin e përpjekjeve për koncensionarin i kishte paguar udhëtime luksoze ish-ministrit të Financave.

SPAK këmbëngul se prej disa muajsh po kërkon prova për ish funksionarin dhe për këtë shkak një grup i BKH-së kontrolloi një vilë në pronësi të bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha.

Më 26 prill, Gjykata Anti Korrupsion e Apelit la në fuqi sekuestron preventive të vendosur nga SPAK ndaj vilës së bashkëjetueses së tij.

Vila në Hamallaj u vendos nën lupën e prokurorëve të posaçëm që po kryejnë çdo veprim të mundshëm hetimor edhe pse ende pa rezultat kundër ish-funksionarit.

Nën sekuestro gjykata la edhe një vilë tjetër që gjenet në Palasë, që u dyshua se i përkiste ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe që në fakt rezulton se është nën pronësi të shtetases Elda Dinaj.

Avokatët vunë në lëvizje Apelin pas kontrolleve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Hamallaj, atje ku ish-ministri i Financave jeton me partneren Hoxha.

Ish-funksionari apeloi duke e konsideruar si të paligjshëm kontrollin për të cilin ai thotë se duhej kryer me leje. Mes veprimeve hetimore, burimet e SPAK thanë se po kryejnë një seri verifikimesh financiare për shumë investime edhe ndaj kompanive të përfshira në ndërtimin e vilave nën sekuestro prej datës 23 mars të këtij viti.

Masa e sigurimit pasuror sipas SPAK është kryer për të ndaluar tjetërsimin e tyre dhe çdo veprim të dyshimtë.

 

Fraksion.com