AktualitetKosovaTë fundit

Tensionet në veri, komandanti i KFOR-it bën deklaratën e fortë: Në Kosovë shmangëm një masakër, shpëtuam 15 policë

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Angelo Ristuccia bëri një deklaratë të fortë, ndërsa pohoi se në veri të Kosovës kishin parandaluar një masakër dhe kishte shpëtuar 15 policë kosovarë. Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “AGI” Angelo Ristuccia tha se ngjarja në fjalë ishte parandaluar më 29 maj.

Ai ka aluduar për protestat e mbajtura në atë datë, ku situata përshkallëzoi veçanërisht në Zveçan. Në Zveçan protestuesit sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës. U lënduan mbi 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë kosovarë. Ristuccia tha se situata mund edhe te pershkallezohej edhe më tepër, po të mos kishte qenë “profesionalizmi i ushtarëve të KFOR-it”. “Falë profesionalizimit të njerëzve tanë në KFOR, që u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe zbatuan rregullat në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër. Ne arritëm t’i ndajmë dy palët dhe të shpëtojmë 15 policë të bllokuar në turmë”, tha Ristuccia.

Ristuccia ka thënë se arsyeja pse situata nuk përshkallëzoi më rëndë, e nuk pati të vdekur, ishte për shkak të profesionalizimit të ushtarëve të KFOR-it. “Arsyeja pse situata nuk përshkallëzoi më tepër më 29 maj, ishte fakti se ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan në mënyrë shumë profesionale dhe dëshiroj të shprehi mbështetjen time të plotë për të lënduarit dhe familjet e tyre. Ata vepruan shumë profesionalisht, sa që arritën të menaxhonin që të mos përshkallëzohet situata, kështu që shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam përplasjen e dyja palëve, përndryshe do të duhej të merreshim me probleme krejt ndryshe”, tha Ristuccia

Ristuccia ka thënë se shumica e personave më 29 maj protestuan në mënyrë paqësore.

 

Fraksion.com