AktualitetBota+Të funditTeknologji

Cila është axhenda politike e Inteligjencës Artificiale?

Nga Santiago Zabala & Klaudio Gallo

 

“Mulliri i dorës të jep mundësinë të kesh shoqëri me feudalin; ndërsa mullirit i madh me avull të shoqërohesh me kapitalistin industrial”- thoshte dikur Karl Marksi. Dhe ai kishte të drejtë. Ne kemi parë vazhdimisht gjatë historisë, se si shpikjet teknologjike përcaktojnë mënyrën dominuese të prodhimit, dhe bashkë me të llojin e autoritetit politik të pranishëm në një shoqëri.

Atëherë çfarë do të na sjellë Inteligjenca Artificiale (AI)? Kush do të përfitojë nga kjo teknologji e re, e cila jo vetëm që po bëhet një forcë prodhuese mbizotëruese në shoqëritë tona (ashtu si dikur mulliri i dorës dhe mulliri me avull), por siç po vazhdojmë të lexojmë në lajme, duket edhe se po “i shpëton shumë shpejt kontrollit tonë?”.

A do të mundet Inteligjenca Artificiale të ketë një jetë të pavarur, siç duket se besojnë shumë njerëz, dhe të diktojë e vetme rrjedhën e historisë tonë? Apo do të përfundojë si shpikja teknologjike e radhës,e cila i shërben një axhende të caktuar, dhe nga e cila përfiton një nëngrup i caktuar njerëzish?

Kohët e fundit, shembuj të përmbajtjeve hiperrealiste, të krijuara nga AI, si një “intervistë” me ish-kampionin e botës në Formula 1, Majkëll Shumaker, që nuk është në gjendje të flasë me median që pas aksidenti të rëndë duke skijuar në vitin 2013; “fotografitë” që tregojnë ish-presidentin Donald Trump duke u arrestuar në Nju Jork; apo esetë studentore në dukje autentike “të shkruara” nga chatboti i famshëm i OpenAI, ChatGPT, kanë ngritur shqetësime serioze midis intelektualëve, politikanëve dhe akademikëve në lidhje me rreziqet që mund të sjellë për shoqëritë tona kjo teknologji e re.

Shqetësime të tilla nxitën bashkëthemeluesin e kompanisë Apple, StivVozniak, figurën e njohur të Inteligjencës Artificiale, Joshua Bengio dhe bosin e Tesla/Twitter, Elon Mask, mes shumë të tjerëve, që të nënshkruanin në mars një letër të hapur ku akuzonin laboratorët e AI se ishin “të përfshira në një garë të dalë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe vënë në përdorim mendje dixhitale gjithnjë e më të fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojnë, parashikojnë apo kontrollojë me besueshmëri”, dhe u bënë thirrje zhvilluesve të AI që të ndalin punën e tyre.

Kohët e fundit, Xhefri Hinton – i njohur si një nga tre “kumbarët e AI” dha dorëheqjen nga Google “për të folur lirshëm mbi rreziqet e Inteligjencës Artificiale” ku ndër të tjera tha se i vjen pjesërisht keq për kontributet e tij në këtë fushë. Ne e pranojmë që AI – si çdo teknologji që përcaktojnë epokën kur shfaqet – vjen me anë negative dhe me rreziqe të konsiderueshme.

Por në dallim nga Vozniak, Bengio, Hinton dhe të tjerët, ne nuk besojmë se ajo mund të përcaktojë vetë rrjedhën e historisë, nëse nuk ka asnjë kontribut ose udhëzim nga njeriu.

Ne nuk i ndajmë shqetësime të tilla, sepse e dimë se, ashtu siç ndodh me të gjitha pajisjet dhe sistemet tona të tjera teknologjike, se axhendat tona politike, sociale dhe kulturore janë gjithashtu të integruara në teknologjitë e AI.

Siç shpjegoi me të drejtë filozofja Dona Harauej: “Teknologjia nuk është neutrale. Ne jemi brenda asaj që bëjmë, dhe ajo është brenda nesh”. Përpara se të shpjegojmë më tej pse nuk kemi frikë nga një i ashtuquajtur marrja e AI, duhet të përcaktojmë dhe shpjegojmë se çfarë është në të vërtetë Inteligjenca Artificiale.

Ky është një mision shumë sfidues, jo vetëm për shkak të kompleksitetit të produktit në fjalë, por edhe për shkak të mitit që është krijuar mbi AI nga media. Ajo që po i komunikohet me këmbëngulje sot publikut, është se makina e ndërgjegjshme është thuajse këtu, dhe se shumë shpejt jeta jonë e përditshme do të ngjajë me ato të përshkruara në filma si “2001: A Space Odyssey”, “Blade Runner” dhe “The Matrix”.

Por kjo është një narrativë e rreme. Ndërsa nuk ka dyshim se po ndërtojmë kompjuterë dhe makineri llogaritëse gjithnjë e më të afta, nuk ka asnjë tregues që kemi krijuar apo jemi afër krijimit të një mendje dixhitale që mund të “mendojë”.

Noam Çomski argumentoi kohët e fundit në një artikull të “New York Times” se “ne e dimë nga shkenca e gjuhësisë dhe filozofia e njohurive se programet e të mësuarit përmes makinerive si ChatGPT, ndryshojnë thellësisht nga mënyra se si njerëzit arsyetojnë dhe përdorin gjuhën”.

Duke imituar filozofin gjerman Martin Haideger mund të themi shkurtimisht: “Inteligjenca Artificiale nuk mendon por vetëm llogarit”. Federiko Fagin, shpikësi i mikroprocesorit të parë komercial, mitikut Intel 4004, e shpjegoi këtë gjë shumë qartë në librin e tij të vitit 2022 “Irriducibile” (I pandërprerë):“Ekziston një dallim i qartë midis ‘njohurisë’ së makinës simbolike … dhe njohurive semantike njerëzore. I pari është informacion objektivin që mund të kopjohet dhe ndahet. Ndërsa i dyti një përvojë subjektive dhe private që ndodh në intimitetin e qenies së vetëdijshme”.

Atëherë çfarë do të thotë e gjithë kjo për të ardhmen tonë? Nëse AI nuk mund të “mendojë”, kush do të përfitojë nga kjo dhe cili do t’i japë autoritet politik? Mbi çfarë vlerash do të mbështeten vendimet e saj? Çomski dhe kolegët e tij i bënë një pyetje të ngjashme për ChatGPT. “Si një inteligjencë artificiale, unë nuk kam bindje morale apo aftësi për të bërë gjykime morale, ndaj nuk mund të konsiderohem imoral apo moral. Mungesa ime e besimeve morale është thjesht rezultat i natyrës sime si një model i mësimit të makinës”- u tha atyre chatbot.

Ku e kemi dëgjuar më parë këtë qasje? A nuk është jashtëzakonisht e ngjashme me vizionin etikisht neutral të liberalizmit ekstrem? Liberalizmi aspiron të kufizojë në sferën individuale private të gjitha vlerat fetare, civile dhe politike që rezultuan kaq të rrezikshme dhe shkatërruese në shekujt XVI-XVII.

Ai dëshiron që të gjitha aspektet e shoqërisë të rregullohen nga një formë e veçantë – dhe në një farë mënyre misterioze – e nacionalitetit: tregu. Inteligjenca Artificiale duket se po promovon të njëjtën markë të racionalitetit misterioz.

E vërteta është se ajo po shfaqet si inovacioni i ardhshëm global i “biznesit të madh” që do të vjedhë punë nga njerëzit – duke i bërë të tepërt punëtorët, mjekët, avokatët, gazetarët dhe shumë të tjerë. Vlerat morale të robotëve të rinj janë identike me ato të tregut. Tani është e vështirë të imagjinohen të gjitha zhvillimet e mundshme, por në horizont po shfaqet një skenar i frikshëm.

Dejvid Kruger, asistent profesor në mësimin e makinerive në Universitetin e Kembrixhit, komentoi së fundmi në “NewScientist”: “Në thelb çdo studiues i AI (përfshirë veten time) ka marrë fonde nga teknologjia e madhe. Në një moment, shoqëria mund të ndalojë së besuari tek garancitë që hapin njerëzit me konflikte kaq të forta interesi, dhe të arrijë në përfundimin, siç kam bërë unë, se neglizhimi i paralajmërimeve mbi AI tradhton mendimin e dëshiruar dhe jo kundër-argumentet e mira”.

Në rast se shoqëria i kundërvihet Inteligjencës Artificiale dhe promotorëve të saj, ajo mund të dëshmojë se Marksi e ka gabim, dhe ta parandalojë zhvillimin kryesor teknologjik të epokës aktuale që të përcaktojë se kush e mban autoritetin politik. Por tani për tani, AI duket se është këtu për të qëndruar.

Dhe axhenda e saj politike është plotësisht e sinkronizuar me atë të kapitalizmit të tregut të lirë, qëllimi kryesor (dhe i padeklaruar) i të cilit është të fragmentojë çdo formë solidariteti shoqëror dhe komunitar. Rreziku i AI nuk është se është një inteligjencë dixhitale e pamundur për t’u kontrolluar, dhe që mund të shkatërrojë ndjenjën tonë për veten dhe të vërtetën përmes imazheve, eseve, lajmeve dhe historive “të rreme” që gjeneron.

Rreziku është se kjo shpikje monumentale, duket se po i bazon të gjitha vendimet dhe veprimet e saj mbi të njëjtat vlera shkatërruese dhe të rrezikshme që drejtojnë kapitalizmin grabitqar./Al Jazeera, Bota.al

Shënim: Santiago Zabala, profesor i filozofisë i kërkimit ICREA në Universitetin Pompeu Fabra në Barcelonë. Claudio Gallo, ish-redaktor i gazetës italiane “La Stampa” dhe korrespondent i saj në Londër. 

 

Farksion.com