AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

“Albin mos e humb Veriun!”, Rama thirrje Serbisë: Lironi tre policët e Kosovës! Koha është tani!

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet me Serbinë, teksa ka kërkuar lirimin e tre efektivëve të policisë së Kosovës, të cilët u rrëmbyen pak ditë më parë nga forcat serbe. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se sa më shumë që të mbahen në burg tre efektivët, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet bilaterale me Serbinë të mos bëjnë shumë hapa mbrapa. Rama paralajmëron se kjo do të jetë java e rikthimit të akullit mes nesh, nëse ata nuk lirohen.

Po ashtu kryeministri Rama, ka edhe një thirrje për kryeministrin Albin Kurtit, të cilit i ka kërkuar që të dalë nga guaska e vetizolimit, ndërsa i bën thirrje që mos të humbasë veriun. Sipas Ramës sa më shumë që Albin Kurti këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës.

Reagimi i kryeministrit Rama:

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!’- shkruan Rama.

 

Fraksion.com