Sulmohen stacionet policore në veri të Kosovës
Stano: BE po e trajton si çështje urgjente situatën e krijuar në Kosovë
Autoritetet e Kosovës, thonë se “policët u kidnapuan thellë në brendësi të territorit të Kosovës”, ndërsa të kundërtën e pohojnë autoritet e Serbisë. Një zëdhënës i Bashkimi Evropian Peter Stano, tha se BE “po e trajton si çështje urgjente situatën e krijuar në Kosovë dhe është në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga forcat serbe. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller, tha në një konferencën për medie se “ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”. Zëdhënësi Miller, tha gjithashtu se të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja. “Si pjesë e kësaj, kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha zëdhënësi Miller, duke dënuar gjithashtu dhunën e protestuesve serb ndaj forcave të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.
Britania e Madhe kërkon vetëpërmbajtje
Lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë që po mbahen nga autoritetet serbe, e kërkoi edhe qeveria e Britanisë së Madhe, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për përmbajtje. “Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të arrestuar më 14 qershor. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, të evitojnë masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për shtensionim. Ne i përsërisim thirrjet ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij, që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë objekteve të komunave dhe që njësitet speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave. Zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e qeverisë britanike, ku inkurajohen serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Britania e Madhe pret që Kosova dhe Serbia “të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, nga ana e tij, tha se “do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave”. Kurse i dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, tha se “palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve”. “Të dyja palët na thonë, le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka, hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”, theksoi Lajçak, duke folur në kuadër të “Forumit të Prespës për Dialog”, që u mbajt të enjten në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Lajçak tha se “për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion”, nga liderët e Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të BE-së, janë përfshirë në dialog për normalizim raportesh që nga viti 2011. Janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por, jo të gjitha janë zbatuar nga palët./DW
Fraksion.com