Kosovë: Vazhdojnë reagimet kundër pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova
Ndërsa Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë pritet diskutojë vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i pezulluar certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, punonjësit e këtij televizioni u shfaqën në ekran e në rrjete sociale me gojë të mbyllura në shenjë proteste.
Disa kanale televizive në Kosovë vunë në ekrane logon e Klan Kosovës në shenjë solidariteti, ndërsa ekspertë e përfaqësues mediesh e organizatash të gazetarëve dhe diplomatë perëndimorë e cilësojnë të kundërligjshëm dhe shqetësues vendimin e qeverisë.
Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi me 14 qershor se ka nisur kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ministria tha se ka vendosur “të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” deri në një vendim tjetër”.
Flutura Kusari, juriste e medias, i tha Zërit të Amerikës se ky vendim është me bazë të gabuar ligjore dhe paraqet ndërhyrje flagrante në lirinë e medias.
“Ajo që duhet të ndodhë tani është që të sigurohemi që Komisioni i Pavarur për Media, në të cilin unë kam besim, të mos vazhdojë tutje këtë çmenduri nga ana e ministrisë dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim i cili do të jetë në disfavor të Klan Kosovës. Vendimi të cilin e kam analizuar është me bazë të gabuar ligjore, pa justifikim, i marrë nga drejtoria që as nuk është përgjegjëse për të suspenduar certifikatën e biznesit”, tha ajo.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se në aspektin ligjor ky vendim është i parakohshëm, paragjykues dhe i kundërligjshëm.
“Ligji i aplikueshëm në Kosovë nuk njeh pezullimin e licencave në situata të tilla, e kur kësaj i shtohet fakti se pjesë e shoqërisë aksionare të cilës i pezullohet licenca është edhe një medium televiziv, atëherë kjo çështje del jashtë kompetencave dhe kapacitetit ligjor të MINT-it, duke marrë kompetenca dhe përgjegjësi të një autoriteti kushtetues sic është Komisioni i Pavarur për Media”, tha zoti Miftaraj.
Drejtoria e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tha të mërkurën se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Por zoti Miftaraj tha se pezullimi i një certifikate në këtë mënyrë, pa u gjykuar nga një gjykatë kompetente mund të ketë pasoja të parikuperueshme.
“Andaj, edhe në rastin konkret ka tejkalim të ligjit dhe procedurës duke u konsideruar vendimi i tillë si arbitrar dhe i drejtuar kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mendimit, me këtë edhe kundër parimeve të demokracisë si një ndër themelet bazë të Kushtetutës së Kosovës”, thotë zoti Miftaraj.
Klan Kosova nëpërmjet një njoftimi ka shprehur shqetësimin me vendimin e ministrisë, duke nënvizuar se deri tash ky institucion nuk ka pasur asnjë kontakt as mundësi të “të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online”.
Pezullimi i certifikatës së televizionit Klan Kosova, që pasoi një shkrim në portalin Kosovaneës rreth kësaj çështjeje, ka nxitur reagime të ashpra.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar këtë si veprim të pashembullt në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të televizionit.
Federata Evropiane e Gazetarëve ka vlerësuar se me këtë veprim qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave. “Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian, thuhet në reagimin e tyre.
Ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë në Kosovë, thanë të premten se po ndjekin nga afër zhvillimet rreth këtij vendimi ndërsa iu bashkuan shqetësimeve të organizatave që mbrojnë lirinë e medias.
“Po shoh shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, shkroi ambasadori britanik Nicholas Abott.
“Procedurat që po vazhdojnë duhet të jenë të drejta dhe të mos kërcënojnë rritjen mbresëlënëse që ka shënuar Kosova së fundmi në renditjen globale të lirisë së medias”, shkroi ambasadori gjerman Jorn Rhode./VOA
Fraksion.com