Sanksione ndaj Kosovës? DASH: Ne nuk parashikojmë nëse do të ketë vendime të tilla ndaj individëve!
Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka bërë që vendet aleate, ai ato të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paralajmërojnë Kosovën për pasoja në raportet bilaterale.
Vendosja e pasojave nga BE dhe SHBA është thënë se po shqyrtohet në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj dhe nuk qetëson situatën në veri të vendit. Ditë më parë u raportua se SHBA-të pritet të vendosin sanksione edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Duke iu referuar një dokumenti të qeverisë amerikane, dokument ky i cili deri më tash nuk është konfirmuar nga asnjë zyrtar amerikan dhe i cili vetëm është përshkruar nga mediat, thuhej se Kurti dhe Sveçla mund të shpallen “non grata” me justifikimin “se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
“Departamenti nuk parashikon nëse do të sanksionojë individë apo subjekte, as nuk parashikon nëse planifikon të vendosë sanksione ndaj individëve apo subjekteve”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tre kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Pas këtyre kërkesave, kryeministri Albin Kurit ka dalë me një plan pesë pikësh për qetësimin e situatës në veri. Kurti të martën në një konferencë për media paraqiti pesë pikat e këtij plani.
Në pikën e parë të planit të paraqitur nga Kurti të martën është sundimi i ligjit në katër komunat në veri, nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve “të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët” në veri të Kosovës.
Në pikën e dytë është përmendur largimi i menjëhershëm i grupeve të dhunshme nga territori i Kosovës, në pikën e tretë është thënë se Policia e Kosovës, KFOR apo EULEX do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Në pikën katër dhe pesë përmendet se Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpall zgjedhjet e reja në veri, dhe Kosova e Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, Bashkimi Evropian pavarësisht se ka pranuar këtë plan të Kurtit për de-eskalim të situatës, janë shprehur se nuk kanë parë ndonjë hap të vendosur dhe të nevojshëm nga Kurti për ta qetësuar situatën.
Farksion.com