Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe, reagon Vjosa Osmani: Serbia s’kërkon paqe në rajon, por destabilzim
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me rrëmbimin e 3 efektivëve të policisë së Kosovës nga policia Serbe. Presidentja Osmani thekson se ky është agresion nga ana e Serbisë, ndërsa shton se ky akt tregon se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për destabilzim.
Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.
Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima.
Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit.
Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë!’- tha Osmani.
Fraksion.com