AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Pritje e tejzgjatur për armët franko-gjermane

Në vitin 2017, Franca dhe Gjermania ranë dakord për një marrëveshje sipas së cilës ato do të zhvillojnë armë të përbashkëta. Por shumë projekte kanë ngecur.

Gjashtë vite më parë, të gjitha mediat ishin të mbushura me shkrime për marrëveshjen mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Macron. Gjermania dhe Franca donin të ishin shembull për të gjithë Bashkimin Evropian: dy projekte të mëdha, secili me vlerë disa miliardë euro, ku gjenerata e ardhshme Sistemi Main Ground Combat System (MGCS) do të zhvillohej së bashku – pra Future Combat Air System (FCAS).

Marrëveshje të tilla të përbashkëta gjermano-franceze kanë ekzistuar edhe më parë, në vitet gjashtëdhjetë, pastaj në vitet shtatëdhjetë me Alpha-Jet, dhe më pas në vitet tetëdhjetë, kur disa vende evropiane u bashkuan për të krijuar Eurofighter – por më pas Franca humbi durimin dhe u kthye në investimet dhe projektet e veta.

Prandaj liderët politikë donin të tregoheshin më të zgjuar këtë herë: në FCAS (aeroplan), Franca do të marrë drejtimin, ndërsa në MGCS (tank) Gjermania, në mënyrë që të gjithë të jenë të kënaqur sepse përbërësit duhet të prodhohen gjysma në Francë, gjysma në Gjermani.

As që kanë filluar të mendojnë seriozisht

Është e vështirë të thuhet nëse do të ketë ndonjë gjë nga avioni luftarak i përbashkët, sepse gjithçka është bërë jashtëzakonisht e ndërlikuar me zhvillimin e tankut. Në fillim, dukej se nuk do të kishte probleme: prodhuesi gjerman i automjeteve të blinduara Kraus-Maffei-Wegmann dhe rrjeti shtetëror francez Nexter themeluan një kompani të përbashkët më 2015, por pas marrëveshjes për tankun evropian të gjeneratës së re, një tjetër koncern gjerman, Rheinmetall, iu bashkua projektit në vitin 2019. Francezëve nuk u pëlqente fare kjo, sepse ata mendonin se gjermanët kishin tepër peshë në këtë projekt.

Aq më tepër kur dihet se Franca ka nevojë urgjente për tanke të reja. Edhe pse parashikohej që MGCS e parë do të prodhohej në vitin 2035, por Gjermania do të prodhojë një pasardhës të Leopard 2, ndërsa Franca do një pasardhës të Leclerc, të cilat nuk janë prodhuar prej 17 vitesh. Kështu projektet kanë mbetur vetëm në letër. Në fakt, nuk duket të ketë ende ndonjë diskutim serioz se si do të duket tanku i ardhshëm? Çfarë armësh duhet të ketë? A do të jetë një “arrë e blinduar” për një mori sistemesh të tjera të armëve pa pilot në tokë dhe në ajër?

Gjermanët kanë Leopardin, kurse francezët…

Ajo që është edhe më shqetësuese për qeverinë dhe opozitën në Paris, Gjermania duket se nuk është shumë e interesuar për të gjitha këto. Jo vetëm që Leopard 2 po prodhohet ende, por edhe versioni i fundit i 2A8 po prodhohet – ndërsa fabrika nuk arrin të prodhojë aq tanke sa kërkohen për Ukrainën dhe për ushtrinë gjermane por edhe për ushtritë e një sërë vendesh.

Rheinmetall ka prezantuar tashmë edhe tankun e tij të ri Panther KF51– por Parisi kishte një ide tjetër. “Pika kryesore e mosmarrëveshjes është ndarja e punës për komponentët e ndryshëm thelbësorë të projektit MGCS”, shpjegon Jacob Ross i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP). Ekziston, për shembull, pyetja se kush do të prodhojë municionin për këtë tank, që nuk është sqaruar as pas disa muaj negociatash. Franca dëshiron që të ketë më shumë pjesëmarrje në këto projekte.

Çfarë do të thotë ky “faktor kohë”?

MGCS (tanku) tashmë do të diskutohet në nivel ministror. Pyetja e parë e palës franceze sigurisht do të jetë se çfarë donte të thoshte pala gjermane, ku ministri i Mbrojtjes Pistorius deklaroi së fundmi se “duhet të ketë një ndryshim paradigme” në prokurimin e pajisjeve ushtarake dhe se “në parim, duhet t’i drejtohemi asaj që tashmë ekziston në treg”, sepse tani prioriteti më i madh është “faktori kohë”. Kjo deklaratë ka shkaktuar një stuhi në Paris: A do të thotë kjo se projekti i përbashkët ka marrë fund?/DW

 

Fraksion.com