“Liri, pavarësi, demokraci”, Osmani e thotë në tri gjuhë frazën e Rugovës në PE dhe zotohet për mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë, e gjithë salla e duartroket
Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Parlamentin Europian riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur ish-presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov, mbajti fjalim në PE.
Osmani filloi fjalimin e saj me një frazë të ish-presidentit Rugova, të cilën e tha në shqip, anglisht dhe frëngjisht. “Liri, pavarësi, demokraci”, tha Osmani.
“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Osmani.
“Europa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, tha ajo.
Para eurodeputetëve, Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën europiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: ‘Shtëpia nuk mbahet pa miq’ dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.
Ajo theksoi se integrimet euro-atlantike janë synimet e vetme për Kosovën.
“Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”, ka thënë Osmani në një seancë plenare para Parlamentit Evropian.
Ajo ka thënë se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”.
Duke folur për të drejtat që ofron Kosova për secilin qytetar, Osmani u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat që i parasheh Kushtetuta e këtij vendi .
“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”.
Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur Ukrainën. Ajo ka rikujtuar se Kosova ka qenë një prej vendeve të para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës.
Presidentja ka përmendur se Kosova i ka trajnuar ukrainasit për të punuar në çminimin e territoreve, më pas për ofrimin e mbështetjes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe për mbështetjen e ofruar për gazetarët ukrainas.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë”, është shprehur ndër tjerash Osmani.
Ajo deklaroi më tej se mënyra më e mirë për t’i tejkaluar sfidat është përmes partneritetit, dhe se mosanëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, e rrezikon edhe vetë bllokun nga ndikimet e dëmshme.
“Kosova nuk është larg, është pjesë integrale e Evropës [në aspektin territorial]”, ka theksuar ajo.
Në nisje të seancës, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se BE-ja është e vetëdijshme për ndikimin që mund të kenë tensionet e fundit në veri të Kosovës në rajon, prandaj e ka përmendur nevojën urgjente për ulje të tensioneve.
Ajo, po ashtu, ka thënë se Kosova vetëm përfiton nga BE-ja, kur ndërmerr masa për ulje të tensioneve.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë.
Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.
Si pasojë, kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrel, ka përgatitur dhe i ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian e ka mbështetur Kosovën prej kur ajo kishte shpallur pavarësinë.
Parlamenti në disa Rezoluta kishte bërë ftesë që 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.
Kjo thirrje ishte përsëritur edhe në Rezolutën e fundit për Kosovën që Parlamenti Evropian e kishte miratuar më 10 maj. Por, rezolutat e Parlamentit Evropian nuk kanë fuqi obliguese për vendet anëtare të BE-së.
Gjatë vizitës së saj në Strasburg, Osmani ka zhvilluar takime edhe në Këshillin e Evropës.
Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e kësaj organizate para një viti. Muajin e shkuar nisi procedura formale për pranimin e Kosovës në këtë institucion.
Osmani është takuar edhe me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës Marija Buriq-Pejçinoviq.
Presidentja e Kosovës në këtë takim ka shprehur gatishmërinë e vendit për të përmbushur kriteret e nevojshme, për të respektuar vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa e ka quajtur si shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Fraksion.com