Kurti: Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është synim për destabilizim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës brenda territorit nga forcat serbe.
Kurti në reagimin e tij ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë, derisa ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviç – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se në mesditën e sotme tre zyrtarë policorë janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës./KosovaPress
Fraksion.com