AktualitetKosovaTë fundit

Biserko: SHBA dhe Gjermania po e lejojnë politikën e neveritshme të Vuçiqit, duan ta zgjidhin çështjen me Kosovën këtë vit

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd i tha gazetës gjermane, Die Tageszeitung se Perëndimi e ka prioritet zmbrapsjen e ndikimit rus në rajon dhe se dëshiron që konfliktet në Ballkan të zgjidhen deri në fund të vitit, përcjell Gazeta Express.

Me këtë, Biserko e shpjegon atë që thotë se është ndryshim qëndrimi i Shteteve të Bashkuara e Gjermanisë ndaj Serbisë dhe në këtë mënyrë i përgjigjet pyetjes se “pse Shtetet e Bashkuara po tregojnë simpati për Vuçiqin?”. Presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të rritet, thotë ajo.

“Synimi tani është padyshim që të zmbrapset ndikimi rus në rajon. Kjo ka prioritet. Ambasadorët amerikanë nga rajoni u takuan së fundmi në Tiranë dhe diskutuan për këtë. Logjika pas kësaj politike bazohet në besimin se nuk ka mbetur shumë kohë. Konfliktet në Europë dhe mbi të gjitha në Ballkan duhet të zgjidhen deri në fund të vitit, sepse konfliktet gjetkë po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ka sfida të mëdha në mbarë botën”, tha Biserko.

Dislokimi i ushtrisë serbe në kufirim me Kosovën “nuk është asgjë e re”, thotë ajo. “Por është e qartë për të gjithë vëzhguesit se Vuçiq tani është përpjekur sërish ta nxehë konfliktin në Kosovë”.

Në politikën e kësaj kohe, Biserko thotë se “nuk ka më garanci politike për të drejtat e njeriut”. Ajo thotë se të drejtat demokratike “nuk luajnë më rol sot, nuk janë prioritet. Politika e sigurisë tani është e rëndësishme, interesat strategjike janë në radhë të parë, vlerat demokratike nuk janë më të rëndësishme”.

“Kjo do të thotë se presioni ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti do të rritet. Akademia e Shkencave të Serbisë së fundi ka ngritur tezën se në Kosovë duhet të krijohet një ent serb. Kjo është mënyra e vetme për të përmbushur kërkesat e Brukselit për integrim në BE”, tha ajo.

“Për Vuçiçin, kjo nënkupton shtyrjen me të gjitha forcat të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti nuk e dëshiron këtë, ai po i qëndron rrugës origjinale europiane. Komunat serbe kanë të drejta të gjera vetëqeverisëse në shtetin ekzistues dhe, përveç ulëseve të përfaqësuesve të zgjedhur, 10 ulëse në parlamentin e vendit”, shtoi Biserko.

Ajo tha se Vuçiq po përpiqet t’i pengojë serbët të integrohet dhe kësisoj i shtyn të largohen nga institucionet dhe t’i bojkotojnë zgjedhjet.

“Kjo politikë dikur ishte e neveritshme, por tani SHBA-të e lejojnë”, tha Biserko.

“Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania duan ta zbatojnë këtë politikë pavarësisht se Aleksandar Vuçiq është i falimentuar politikisht dhe financiarisht. Serbia renditet e fundit për sa i përket rritjes ekonomike në rajon, pavarësisht nga energjia e lirë nga Rusia”, theksoi ajo.

 

Fraksion.com