AktualitetNATO/BEOp-EdTë fundit

Uniteti i NATO-s dhe sfidat e sigurisë në pritje të Samitit në Vilnius

Nga Mimoza Golikja

 

Duke folur në podcastin “Brussels Sprouts” të organizuar nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ai pret që Samiti në Vilnius të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje për Ukrainën. Ai tha se të gjithë aleatët pajtohen se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vetëm aleatët dhe Ukraina duhet të marrin vendime për anëtarësimin.

Z. Stoltenberg theksoi se gjëja më e rëndësishme tani është të sigurohet që Ukraina të mbizotërojë si një shtet sovran dhe i pavarur. Ai vuri në dukje gjithashtu prioritete të tjera kyçe për Aleancën, duke përfshirë forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes dhe një angazhim më të fortë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Stoltenberg iu bashkua podcast-it së bashku me ambasadoren e SHBA-së në NATO, Julianne Smith. Ky episod shënoi dhe pesëvjetorin e podcast-it, ku u diskutua gjërësisht pushtimi i Ukrainës nga Rusia, përgjigjen e vazhdueshme ndaj luftës nga aleatët e NATO-s dhe mbështetjen pë Ukrainën si dhe mësimet e nxjerra nga konflikti i deritanishëm dhe të ardhmen e Aleancës.

Plani afatgjatë i Perëndimit për të mbështetur Ukrainën në podcast live

Në podcast u diskutua rreth situatës te fundit që kemi parë nga teatri i luftës në Ukrainë, e cila   tregon se tani ka më shumë luftime në vijat e para.  Shumë të dhëna në fushën e betejës tregojnë, se do të jetë aftësia e Ukrainës për të rimarrë territorin dhe për të demonstruar se mund të përdorë pajisjet e perëndimit për të shkuar drejt faktit që do të formësojë nivelet e ardhshme të mbështetjes për Kievin.

“Luftërat janë të paparashikueshme, kështu që askush nuk mund të tregojë saktësisht se si do të evoluojë kjo luftë”, tha Stoltenberg. “Ajo që ne dimë është se ukrainasit kanë tani aftësi, armë, municione dhe gjithashtu trajnime të ofruara nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, jo më pak përmes Grupit të Kontaktit për Ukrainën, të udhëhequr nga SHBA”.  Duke theksuar se ata kanë aftësitë e tyre që nevojiten për të çliruar më shumë territor Sekretari i Përgjithshëm tha se “ajo që dimë gjthashtu është se ukrainasit kanë vërtetuar se janë në gjendje të shtyjnë forcat ruse”, siç bënë në veri rreth Kievit, vetëm pas disa javësh, në lindje rreth Kharkiv dhe më pas në jug rreth Kherson. “Tani kanë më shumë pajisje, më shumë trajnime dhe më shumë përgatitje për të çliruar edhe më shumë toka. Askush nuk mund të thotë saktësisht se si përfundon kjo luftë, por ajo që ne dimë është se ajo që ndodh rreth një tavoline negociuese në një fazë, shpresojmë se do t’i japë fund kësaj lufte”. Kjo varet tërësisht nga ajo që ndodh, në fushën e betejës, tha ai. Pra, “ne duhet të forcojmë pozicionin e Ukrainës në fushën e betejës për t’i mundësuar atyre që të marrin një rezultat të kësaj lufte që siguron që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur dhe që Presidenti Putin të mos e fitojë këtë luftë.”, theksoi Stoltenberg në podcast.

 B9, për përgatitje për Samitin e NATO-s në Vilnius

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  mori pjesë në Samitin e  Bukuresht Nëntë (B9) të Kryetarëve të Shteteve në Bratislavë ,  gjithashtu për të përgatitur Samitin e Vilniusit në korrik. B9 është një platformë  dhe një forum i rëndësishëm, për të adresuar edhe çështje të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për NATO-n gjithashtu. Formati B9 bashkon Bullgarinë, Çekinë, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë dhe u krijua si pasojë e pushtimit të parë të Rusisë në Ukrainë në 2014.

“Lufta e paprovokuar e agresionit të Presidentit Putin kundër Ukrainës ka ndryshuar mjedisin tonë të sigurisë për një afat të gjatë. Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë,” tha Sekretari i Përgjithshëm. “Shkatërrimi i digës Kakhovka sot vë mijëra civilë në rrezik dhe shkakton dëme të rënda mjedisore. Ky është një akt i egër që tregon edhe një herë brutalitetin e luftës së Rusisë në Ukrainë.”

Stoltenberg përvijoi prioritetet kryesore për Samitin e NATO-s në Vilnius, duke përfshirë një paketë shumëvjeçare ndihme për Ukrainën; forcuar parandalimin dhe mbrojtjen; dhe një angazhim më të fortë për rritjen e investimeve në mbrojtje, me një minimum prej dy përqind të PBB-së. “Unë po punoj gjithashtu shumë për të siguruar që ne të mirëpresim Suedinë së shpejti si një anëtare e plotë e kësaj Aleance”, tha ai.

Duke u takuar me kryeministrin sllovak Ľudovít Ódor pas Samitit B9, z. Stoltenberg e falënderoi atë për kontributet e Sllovakisë në NATO, përfshirë angazhimin e saj për të investuar 2% të PBB-së në mbrojtje këtë vit. Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu se “Sllovakia mund të mbështetet në NATO”, duke vënë në dukje se avionët e Aleancës patrullojnë qiejt e Sllovakisë dhe se vendi pret një grup beteje shumëkombëshe të NATO-s për të penguar çdo agresion. “Ju jeni pjesë e një familjeje prej 31 demokracish nga Evropa dhe Amerika e Veriut ku të gjitha vendimet merren me konsensus dhe ne të gjithë mbrojmë njëri-tjetrin. Të gjithë për një dhe një për të gjithë”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm tha se NATO mbron të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi dhe nëse sheh një rrezik apo një kërcënim, atëherë ajo është gati për secilin aleat. “Ndërsa ne kemi mbrojtur hapësirën ajrore dhe territorin e NATO-s për dekada, ne kemi rritur praninë tonë edhe në Sllovaki brenda grupit të betejës shumëkombëshe të udhëhequr nga BE-ja e nga NATO.

“Aeroplanët e NATO-s patrullojnë qiellin mbi Sllovaki për të ndihmuar të mbrojtje të hapësirës së saj ajrore. Nëse është e nevojshme kjo gjithashtu mund të kthehet në mbështetje të aktiviteteve të mbrojtjes ajrore”. NATO ka  gjithashtu bateri italiane të mbrojtjes ajrore SAMP-T të vendosur në Sllovaki dhe Gjermania po i dorëzon edhe dy sisteme kundërajrore MANTIS Sllovakisë, por mesazhi më i rëndësishëm është fakti që “po rritet gatishmëria e forcave  dhe që kemi aftësinë t’i përforcojmë shpejt nëse nevojitet”.

Nga ana tjetër nëse ka nevojë NATO do t’i shtojë aftësitë që janë tashmë në Sllovaki, grupin e betejës, sistemet e mbrojtjes ajrore, policimin ajror. “Ne do t’i shtojmë më shumë aftësitë nëse nevojitet, sepse e gjithë ideja e NATO-s është se ne jemi një për të gjithë, të gjithë për një, dhe ne bëjmë atë që nevojitet për të mbrojtur të gjithë aleatët, gjithashtu hapësirën ajrore të të gjithë aleatëve”.

Ruajtja e unitetit të Aleancës dhe trajtimi i sfidave të sigurisë në Samitin e Rinisë të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg ishte i pranishëm në Samitin e Rinisë së NATO-s, zhvilluar javën e parë të  qershorit 2023, një ngjarje që bashkon liderët e rinj në Bruksel dhe Uashington, DC për të diskutuar dhe eksploruar çështje kritike për sigurinë globale, nga dezinformimi te teknologjitë më të fundit dhe nga ndryshimi i klimës në mbrojtje kombëtare.

Në një bisedë të moderuar me Dr. Kira Allman, drejtoreshë e ardhshme e Partneriteteve dhe Komunikimeve në Institutin Global të Kërkimeve William & Mary, Sekretari i Përgjithshëm foli për ruajtjen e unitetit të NATO-s gjatë viteve dhe trajtimin e sfidave të sigurisë nga lufta e Rusisë në Ukrainë deri te terrorizmi, ndryshimi i klimaës dhe teknologjitë përçarëse. Ai theksoi, “Uniteti është forca jonë më e madhe”. Duke thënë se jemi 31 kombe që janë anëtarë të NATO-s dhe së shpejti 32 me Suedinë, Stoltebnberg tha se kombet nga të dyja anët e Atlantikut, janë me histori të ndryshme, me kulturë të ndryshme dhe me parti të ndryshme politike në pushtet. “Kjo na bën të gjithëve krejt ndryshe, por në të njëjtën kohë kemi mundur të jemi bashkë si një familje e madhe dhe mendoj se qëllimi im kryesor është ta mbaj këtë familje të madhe të lumtur dhe të bashkuar.”, tha ai. “Ne jemi në gjendje të jemi bashkë pavarësisht dallimeve tona, sepse të gjithë e kuptojmë se në një botë më të rrezikshme, ne jemi më të sigurt kur jemi bashkë, Amerika e Veriut dhe Evropa”, theksoi Stoltenberg duke dhënë mesazhin se të qëndruarit së bashku dhe uniteti, “është forca jonë më e madhe”.

Edhe duke folur mbë sfidat gjeopolitike shefi i NATO-s tha se “kur shohim se fuqitë autoritare po afrohen më shumë dhe po i bashkojnë forcat më ngushtë, atëherë është edhe më e rëndësishme që të sigurojmë që të gjitha ato vende që besojnë në demokraci dhe liri të qëndrojnë së bashku në NATO, Amerika e Veriut dhe Evropa.  Kjo e bën NATO-n edhe më të rëndësishme”, tha ai. Por edhe fakti që NATO bashkëpunon edhe përtej zonës euroatlantike me partnerët e ngushtë në Indo Paqësor, tregon se ajo beson se “në një botë më të rrezikshme, ku siguria nuk është më rajonale, por vërtet globale”, është edhe më e rëndësishme që NATO të punojë ngushtë me partnerët në mbarë botën.

Samiti i Rinisë i NATO-s 2023 u organizua nga Divizioni i Diplomacisë Publike të NATO-s në partneritet me Kolegjin e William & Mary, me temën “Liria dhe Siguria e Gjeneratës të ardhshëm”. Diskutimet e panelit të Samitit të Rinisë mbuluan sfidat e sigurisë duke përfshirë kërcënimet hibride, hapësirën dhe dezinformimin. Samiti paraqiti një numër folësish nga të 31 vendet aleate të NATO-s, si dhe nga Suedia dhe Ukraina.

Stoltenberg pret me padurim finalizimin e anëtarësimit të Suedisë në Aleancë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua gjithashtu me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe anëtarët e qeverisë së tij të re në Stamboll, pas përfundimit të zgjedhjeve të Turqisë.

Duke e quajtur Turqinë një aleate të rëndësishme dhe shumë të vlerësuar, Stoltenberg vlerësoi kontributet e trupave të Turqisë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, duke përfshirë përforcimet pas trazirave të fundit në veri të Kosovës. Ai falënderoi gjithashtu Turqinë për kontributin në trajnimin e NATO-s për forcat irakiane, paracaktimin e trupave në grupin e betejës shumëkombëshe në Hungari dhe ofrimin e mbështetjes së fortë për Ukrainën, përfshirë udhëheqjen e nismës së grurit të Detit të Zi.

Sekretari i Përgjithshëm e uroi Presidentin Erdogan për rizgjedhjen e tij dhe për pjesëmarrjen e lartë në popullin turk në votime. Ata diskutuan një sërë çështjesh në axhendën e Samitit të NATO-s të korrikut në Vilnius, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, punën për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen dhe luftën kundër terrorizmit. Diskutimet përfshinë gjithashtu ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO. Stoltenberg vuri në dukje se Stokholmi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, konkretë për të përmbushur shqetësimet e Turqisë, duke përfshirë ndryshimin e kushtetutës suedeze, përfundimin e embargos së armëve dhe rritjen e bashkëpunimit kundër terrorizmit, përfshirë kundër PKK-së. Ai më tej vuri në dukje se legjislacioni i ri i rëndësishëm kundër terrorizmit ka hyrë në fuqi ditët e fundit dhe se Suedia ka përmbushur detyrimet e saj. Ai tha se ishte e vështirë të shiheshin demonstrata kundër Turqisë dhe kundër NATO-s në Suedi, por organizatorët nuk duhet të lejohen të kenë sukses në përpjekjet e tyre për të bllokuar bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe për të ndaluar Suedinë të bashkohet me Aleancën.

Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti Erdogan ranë dakord që Mekanizmi i Përhershëm i Përbashkët midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë duhet të takohet përsëri në javën që fillon më 12 qershor. Stoltenberg tha se mezi priste të finalizonte pranimin e Suedisë sa më shpejt të jetë e mundur./marrë nga ‘Ushtria’

 

Fraksion.com