AktualitetBota+Të fundit

Trupat amerikane që trajnuan grupin e parë të ushtarëve ukrainas

Disa ditë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën, një grup ushtarësh amerikanë që trajnonin ukrainasit u urdhëruan të evakuoheshin. Dy muaj më pas, ushtarët e njësisë “Task Force Gator” të Gardës Kombëtare të Floridës, ripërtërinë misionin e tyre dhe zgjeruan trajnimin e ukrainasve në Gjermani. Administrata e Presidentit Biden nuk ka lejuar deri tani që pamjet filmike nga trajnimi të bëhen publike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, sjell një material ekskluziv nga misioni i ushtarëve amerikanë.

Këto janë pamjet e para filmike të publikuara ndonjëherë nga forcat amerikane që trajnojnë ushtarët ukrainas pas agresionit rus.

Forcat amerikane kanë trajnuar më shumë se 10,000 trupa ukrainase që nga prilli i vitit 2022. Këta janë tre ushtarët e njësisë “Task Force Gator” që mundësuan këtë trajnim.

Koloneli Jerry “Blake” Glass, komandat i njësisë “Task Force Gator”, tregon për Zërin e Amerikës peripecitë me të cilat u përball njësia e tij.

“Isha shumë i shqetësuar sepse kisha një mision për të realizuar, por nuk isha i sigurtë se si do ta bënim një gjë të tillë”, thotë ai.

“Një ushtar i njësisë sonë ‘Task Force Gator’ i priti në kufi trupat ukrainase ndërsa ata kaluan kufirin, arritën në Gjermani me aeroplan, u stacionuan, u trajnuan dhe i solli përsëri në kufi me Ukrainën duke i uruar që t’i dërgojnë në ferr agresorët”, tregon për Zërin e Amerikës Majori Ryan Hegemeier.

Trajnimi që pasoi në Gjermani i ka fillimet në vitin 2015, kur forcat e Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara nisën trajnimin e ushtarëve ukrainas në një bazë të largët në Ukrainën perëndimore.

Rreth 160 ushtarë nga “Task Force Gator” të Gardës Kombëtare të Floridës mbërritën në qendrën e trajnimit luftarak pranë qytetit Yavoriv në nëntor të vitit 2021.

“Po zhvillonin një trajnim të nivelit të lartë përpara se të ndryshonte situata gjeopolitike dhe filloi ardhja e ndihmave në Ukrainë. Komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara dërguan armatime specifike dhe detyra jonë ishte t’i mësonim ushtarët ukrainas se si të përdorin ato”, tregon për Zërin e Amerikës Majori Ryan Hagemeier.

Por më 12 shkurt, ndërsa forcat ruse u dislokuan në kufi, trupat amerikane morën një urdhër urgjent që të evakuoheshin nga Ukraina.

“Nuk donim që të largoheshim dhe ishte shumë e vështirë pasi u kishim thënë se misioni ynë ishte mbështetja ndaj tyre”, tregon majori Hagemeier.

“Në të kaluarën kam humbur në luftime dy ushtarë, dhe largimi ishte rasti i dytë më i vështirë në jetën time. Ishte zhgënjyese”, thotë koloneli Jerry “Blake” Glass.

Rreth 40 orë më vonë “Task Force Gator” u largua dhe 10 ditë më pas Rusia sulmoi Ukrainën.

“Ne i njihnim këta njerëz (ushtarët ukrainas) dhe e dinim që njerëzit atje po luftonin për jetët e tyre”, thotë koloneli Jerry “Blake” Glass.

“Ndjesia nuk ishte e mirë sepse nuk po bënim asgjë, por ne mund t’i ndihmonim”, thotë majori Michael Lackey.

Ukraina iu kundërpërgjigj sulmit rus. Trajnimi i forcave ukrainase nga njësia “Task Force Gator” për përdorimin e armatimeve të ndryshme provoi të ishte tejet thelbësore përballë agresorit.

Por më 13 mars të vitit të kaluar, baza e stërvitjes Yavoriv u godit me raketa.

“Mesazhet në telefon më zgjuan nga gjumi. Fotot e dërguara tregonin pjesë të qytetit Yavoriv që digjeshin.

Në ato ndërtesa kishim banuar. Por problemi ishte se miqtë tanë jetonin ende në ato ndërtesa. Atë mëngjes shumë njerëz u vranë. Ishte e vështirë sepse të shihnim ç’po ndodhte dhe të mos bënim dot gjë”, thotë koloneli Jerry “Blake” Glass.

Rreth dy muaj më vonë, ndërsa Uashingtoni dërgonte më shumë armë në Ukranë, koloneli Glass dhe ekipi i tij morën udhëzime të reja.

“Duhet të gjejmë një mënyrë për t’i trajnuar ukrainasit. Kjo duhet të ndodhë brenda javësh. Ukrainasit duhet të mësojnë brenda 10 ditësh si të përdorin artilerinë e rënë howitzer.”

Kjo video e siguruar nga Zëri i Amerikës tregon stërvitjen në Gjermani pranverën e kaluar me artilerinë e rëndë howitzer M777.

Majori Hagemeier thotë se nuk do ta harrojë kurrë grupin e parë në bazën stërvitore Grafenwöhr, ku morën pjesë edhe ushtarë ukrainas që i njihte më parë.

“I pritëm në kufi. Mes ushtarëve të lodhur nga lufta kishte edhe fytyra të njohura. Mbi kurriz mbanin torba me sendet e vetme që kishin. Ndoshta një uniformë rezervë. Ishte moment emocionues kur u takuam me këta djem”.

Për disa ushtarë ukrainas, familjet e të cilëve ishin larguar nga vendi në fillim të agresionit, trajnimi nuk ishte e vetmja gjë që morën nga ushtarët amerikanë.

“Pasi siguronim kontakte me familjet e tyre, ata gjenin një mënyrë për të ardhur tek baza e stërvitjes në Gjermani. Kur takoheshin ishte si një festë, jo vetëm për familjet por për të gjithë ushtarët atje”, kujton koloneli Jerry “Blake” Glass.

Ushtari ukrainas Eugene shkrepi këtë foto natën kur u ribashkua me gruan e tij Ninën dhe djalin e tyre. Për arsye sigurie kemi mbuluar fytyrën e ushtarit.

“Më kujtohet fjala ‘Të dua’. Jam i lumtur që kam atë që kemi në këtë moment”, kujton Nina, gruaja e ushtarit ukrainas.

“Të jesh në gjendje të prekësh gruan dhe fëmijën, kjo është gjëja më e rëndësishme në jetë.

Më dha forcë psikologjike mua dhe ushtarëve të tjerë që patëm fatin të shohim familjet tona”, thotë Eugene, ushtar ukrainas.

Trajnimi i ushtarëve ukrainas në Gjermani u zgjerua, duke përfshirë raketa-hedhës të lëvizshëm, të njohur si HIMARS dhe shumë armatime të tjera.

Ushtarët ukrainas u trajnuan gjithashtu edhe në mirëmbajtjen e armëve.

“Ne vazhduam punën nga prilli deri në fund të verës”, tregon koloneli Glass.

“Zhvilluam orë mësimore njëra pas tjetrës, duke shtuar trajnimet sipas nevojës që paraqitej”, thotë majori Hagemeier.

“Ne i trajnuam gjerësisht. Jo vetëm se si ta përdorin dhe të qëllojnë me një raketahedhës Javelin, por të gjithë taktikën, që nga pozicionimi e deri tek asgjësimi i objektivit”, thotë majori Lackey.

“Ne ishim ata që hartuam gjithçka, që nga koordinimi i fluturimeve ditë pas dite të ushtarëve që vinin për trajnim dhe kthimi i tyre në front”, thotë majori Hagemeier.

Vetëm disa javë më parë, dislokimi i ushtarëve ukrainas në fushën e betejës kishte qenë një nga pikat më të dobta të karrierës së tyre. Por pas trajnimit, kthimi i tyre në front ishte ndër arritjet më të larta.

“Ajo që bëjmë sot ndikon nesër në fushën e betejës. E di që kjo do të ketë ndikim në Evropë dhe ndoshta edhe për pjesë të tjera të botës për dhjetëra vite me radhë”, thotë koloneli Glass.

“Mendoj se të gjithë ishin disi të befasuar që ukrainasit ende janë duke luftuar. Por ne nuk jemi të befasur. Ne punuam krah për krah me ta dhe ata janë të përgatitur mirë”, thotë majori Hagemeier.

“Të bëhet zemra mal sepse e di që po u jep atyre pikërisht atë që ata kanë nevojë. Jam shumë me fat që jam pjesë e historisë. Ne patëm ndikim”, thotë majori Laskey.

Shumë kohë pas përfundimit të dislokimit të tyre një grup tjetër ushtarësh amerikan vazhdon misionin e trajnimit të ushtarëve ukrainas që po luftojnë për çlirimin e vendit të tyre./VOA

 

Fraksion.com