Uncategorized

“Nënë Nadiren e takova dje në shkallët e një institucioni…”, Balla: Asnjë zyrtar mos ta shohë zyrën si pronë të vetën

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh drejtuesi politik i PS-së në qarkun Fier, Taulant Balla theksoi sot se besimi i dhënë nga qytetarët më 14 maj duhet të përkthehet në më shumë punë në shërbim të tyre.

Balla u shpreh se duhet të marrë fund pritja e qytetarëve nëpër dyert e institucioneve, ndaj i bëri thirrje drejtorëve që të mos i konsiderojnë zyrat si pronë të vetën, por t’u japin zgjidhje problemeve që qytetarët kanë.

“Vota e 14 majit duhet t’i japë fund pritjes së qytetarëve në dyert e institucioneve dhe arrogancës së ndonjë drejtori që as nuk u hedh sytë kur hyjnë me kapadaillëk në zyra! A thua i kanë të vetat, e nuk i ka çuar aty vota e popullit. Nënë Nadiren e takova dje në shkallët e një institucioni, ndërsa priste për një hall me Kadastrën. Nuk e di nëse ky hall ka apo s’ka një zgjidhje, edhe pasi e dëgjova me shumë vëmendje. Por nëna e moshuar me hallet shëndetësore të moshës pret që hallin t’ja qajnë dhe po mundet të zgjidhet, do marrësh dhe bekimet e saj. Sot halli i nënë Nadires po verifikohet, po sa të tilla ka çdo ditë!?”, tha ai.

Balla u shpreh se edhe kryetarët e bashkive duhet t’u dedikojnë një ditë të javës këtyre halleve.

“Janë të zgjidhshme një pjesë, një pjesë tjetër duan një përgjigje që t’u japin fund rropatjeve, sorollatjeve dhe ping-pongut nga një zyrë tek tjetra. Njerëzit presin shumë nga ne pas këtyre zgjedhjeve, por ndër to sot po ndalem tek një ndër ndryshimet që ata presin nga ne menjëherë”, tha Balla.

 

Fraksion.com