NATO dhe BE së bashku për stabilitet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoană u takua sot (13 qershor 2023) me ambasadorin Miroslav Lajcak, Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, i cili së fundmi vizitoi Beogradin dhe Prishtinën. Ambasadori Lajcak gjithashtu informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe përpjekjet aktuale diplomatike të BE-së.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer dhe afatgjatë midis NATO-s dhe BE-së në rajon vazhdon të bëjë ndryshimin,” tha Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm Geoană. “Selia e NATO-s, KFOR-i, aleatët si dhe Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja kanë qenë të palodhura në përpjekjet e tyre për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’i sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve, në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Beogradi dhe Prishtina”, shtoi ai. Z. Geoana kujtoi se “NATO ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada; misioni ynë i KFOR-it në terren, me mbi 4,000 trupa është demonstrimi më i fortë i këtij angazhimi.”
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe vazhdon të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 1999. Përforcimet e NATO-s mbërritën në Kosovë më 5 qershor 2023, pas dhunës së paprovokuar në të cilën u plagosën një numër i paqeruajtësve të KFOR-it. Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga brigada e 65-të e mekanizuar e këmbësorisë së Turqisë përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s. Batalioni turk do të vendoset në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s është vënë gjithashtu në gatishmëri më të lartë për t’u vendosur nëse është e nevojshme.
NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili është e vetmja rrugë për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
Fraksion.com