AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: QUINT-it ia prezantova planin për ulje të tensioneve në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se në mëngjes është takuar me ambasadorët e QUINT-it për të prezantuar propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se këtë propozim e ka ndarë paraprakisht me kryediplomatin evropian, Josep Borell.

“Me Borrelin dje, dhe vendet partnere të QUINT-it sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë, për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Ai ka thënë se situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë.

“Eskalimi më 29 maj e bën urgjente sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve”.

Ai u është referuar përleshjeve të 29 majit në Zveçan mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Serbët loklaë janë duke protestuar vazhdimisht prej asaj dite, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Mekanizimi ndërkombëtar ka kërkuar urgjentisht uljen e tensioneve, si dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

 

Fraksion.com