Këshilli i Sigurimit Kombëtar, Begaj: Koha të reflektojmë sa të përgatitur jemi ndaj sulmeve kibernetike
Mesditën e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
Presidenca njoftoi se KSK ka në fokus gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
Në fjalën hyrëse, Presidenti Begaj solli në vëmendje se një vit më parë vendi u përball me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike.
“Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre”, u shpreh ai.
Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet, të cilët në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si SHBA, BE, NATO dhe me vende të tjera partnere e aleate, kanë bërë për arsimimin trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike dhe informacioni, me fokus të veçantë infrastrukturat kritike dhe infrastrukturat e rëndësishme të informacionit”, vijoi Begaj.
“Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne dhe të avancuara nga pikëpamja teknologjike në funksion të forcimit të mbrojtjes kibernetike. Nga ana tjetër, pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre”, u shpreh Presidenti.
“Sulmet kibernetike janë shtuar në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse duke rritur shkallën e vështirësisë së përballimit të tyre. Kam thirrur këtë mbledhje sot për të bërë një analizë të gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, si dhe për të diskutuar për sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballemi”, tha ai.
“Gjithashtu, pothuaj një vit pas sulmeve shkatërrimtare është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme dhe ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Sfidat që po kalojmë sot janë me spektër të gjerë”, theksoi Begaj.
“Në këtë takim të sotëm, krahas sigurisë kibernetike ne do të diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhura me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës, kërcënimeve diplomatike apo me natyrë hibride.
Për të informuar më hollësisht Këshillin e Sigurimit Kombëtar lidhur me gjendjen e sigurisë kibernetike dhe për masat e marra për parandalimin, neutralizimin dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, kam ftuar Drejtorin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike (AKCESK), Igli Tafa, si dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.Begaj”, informoi Begaj.
Sipas njoftimit nga Presidenca, pjesëmarrës në këtë mbledhje janë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Po ashtu, në mbledhje marrin pjesë edhe kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Nasip Naço, shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Arben Kingji, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Në këtë mbledhje u ftua të marrë pjesë edhe zv/kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Ferdinand Xhaferraj.
Fraksion.com