Filantropisti miliarder Soros i kalon pasurinë të birit, Alex
Miliarderi filantropist, George Soros konfirmoi se po ia dorëzon kontrollin e perandorisë së tij prej 25 miliardë dollarësh djalit të tij, Alex, sipas rrjetit të njohur informativ amerikan me natyrë ekonomike, CNBC.
Soros, 92 vjeç, ka një pasuri neto prej 6,7 miliardë dollarë, sipas Forbes dhe është një nga 400 njerëzit më të pasur në botë.
Në vitin 2017, ai transferoi 18 miliardë dollarë në fondacionet e tij të ”Shoqërisë së Hapur”, një grup bamirësie që punon në më shumë se 100 vende.
Alex, duke folur për ”Wall Street Journal”, në një intervistë ekskluzive të botuar gjatë fundjavës, tha se ai është “më politik” se babai i tij dhe la të kuptohet për një rol të rëndësishëm financiar për organizatën ”Soros” në zgjedhjet në SHBA vitin e ardhshëm.
Fondacionet e ”Shoqërisë së Hapur” nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të CNBC për koment, por një zëdhënës konfirmoi detajet e intervistës me agjencinë e lajmeve, Reuters.
Duke shprehur shqetësimet e tij për një rikthim të mundshëm të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, 37-vjeçari Soros i tha ”Wall Street Journal” se “aq sa do të doja të merrja para nga politika, për sa kohë që pala tjetër po e bën atë, do të duhet ta bëjmë edhe ne”.
Babai i tij, shpesh i shënjestruar nga komplotistët e krahut të djathtë, ka qenë një nga donatorët më të mëdhenj të Partisë Demokrate të SHBA-së – duke dhuruar rreth 140 milionë dollarë për organizatat e ngarkuara politikisht për mbrojtjen dhe nismat e votimit në vitin 2021.
I referuar si njeriu që “nënshtroi Bankën e Anglisë” pasi i uli vlerën paundit britanik në vitin 1992, që thuhet se kishte një fitim prej një miliard dollarësh, George Soros u largua nga Hungaria në moshën 17-vjeçare për të ndjekur Shkollën Ekonomike të Londrës duke punuar si faturino në hekurudhë apo edhe kamerier.
Soros e përshkruan veten si “njeriu që shkon tek ai kur duan të fajësojnë dikë”.
Djali i madh i Soros dhe gjysmëvëllai më i madh i Alex, Jonathan Soros, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i firmës private të investimeve ”JS Capital Management”, besohej më parë të ishte pasardhësi i tij.
”Nuk doja që fondacioni të merrej nga një prej fëmijëve të mi, si një çështje parimore. Mendova se duhet të menaxhohet nga dikush që është më i përshtatshmi”, tha George Soros duke shtuar se Alex ka fituar besimin e tij.
Sipas një fragmenti në faqen e internetit të fondacioneve të ”Shoqërisë së Hapur”, George Soros citohet të ketë thënë se ”suksesi im në tregjet financiare më ka dhënë një shkallë më të madhe pavarësie se shumica e njerëzve të tjerë”.
”Unë besoj se në filantropi duhet bërë gjëja e duhur, pavarësisht nëse ka sukses apo jo”, thotë ai.
Fraksion.com