Rama: Krenar për raportin e PS-së me drejtësinë
Kryeministri Edi Rama, në 32-vjetorin e themelimit të PS-së, që u përkujtua sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, tha se është krenar për raportin e socialistëve me drejtësinë.
“Raporti i PS-së me drejtësinë ka nisur me burgosjen e liderit të PS-së. Më pas, është zhvilluar si një raport për respektin për pavarësinë e gjyqësorit, por edhe si një raport me plagë të hapura nga gjyqësori i përdorur politikisht kundër nesh”, tha Rama.
“Drejtësia, – theksoi kryeministri, – dikur ishte vegël e pushtetit të kundërshtarëve tanë dhe pastaj është ngritur në nivelin historik të Reformës në Drejtësi, kur kjo parti i hyri detit.”
“PS është e vetmja parti në pushtet që as nuk ka vrarë, as burgosur e as rrahur një njeri të vetëm për arsye politike, në të gjitha vitet që ka drejtuar vendin. Asnjë parti tjetër që nga 1912, nuk e ka bërë dot. Ata që japin drejtësi merren pa asnjë pengesë me zyrtarët të lidhur me pushtetin drejtpërdrejt, ndërkohë kanë gjithë mbështetjen e partisë në pushtet. Flet shumë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Shqipëria e fëmijëve tanë, falë reformës në drejtësi, familjet shqiptare të fëmijëve tanë do të kenë drejtësi. Kokën lart dhe vetëm para, me bindjen se o e bëjmë ne, o s’e bën askush tjetër Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama u bëri apel kryebashkiakëve, deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë të hapin shtigje të reja ndërveprimi me shoqërinë, grupet e interesit, sipërmarrjet, individët që kanë nevojë të dëgjohen.
“Deputetët tanë duhet të jenë dëshmitarët dhe garantët e kësaj përpjekje të re, duke ndërtuar sa më shumë ura mes PS dhe komunitetit dhe mbyllur shtigje nga ato të vjetrat të penetrimit të shtetit nga individët pa merita apo me dorën e gjatë”, tha Rama.
Ai theksoi se, këshilltarët e sapozgjedhur duhet të udhëhiqen për të bërë një ndryshim kulturor në interpretimin e rolit të tyre duke punuar si skuadër bashkë me deputetët, sipas zonave të ndara të përkujdesjes së komunitetit në territore.
“Prioriteti i prioriteteve të qeverisjes sonë vendore duhet të jetë njerzillëku, sepse ajo votë që kapërceu 60 % në Kamëz e Shkodër, për të mos vazhduar me të tjerat, edhe në ato qytete ku kemi fituar zakonisht, është në pritje e në kërkim të diçkaje. Është në nevojë për diçka, të cilin fati dhe nderi ynë është që e kërkon prej nesh, por mos mendoni se do të presë gjatë nëse ne nuk do vrapojmë sot për t’ia dhënë pa humbur durimin në pritje”, u shpreh Rama.
Fraksion.com