AktualitetKosovaOp-EdTë fundit

“Për ushtarakun kënaqësia më e madhe është fitorja”, Lufta e Kosovës: Shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë rolin e Perëndimit

Nga Vait Golikja*

 

Shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë rolin e Perëndimit dhe në veçanti të SHBA-së si bartësi kryesor i kësaj politike frytdhënëse. Merita më e madhe i takon pa dyshim Presidentit  Clinton dhe sekretares së tij të shtetit Albright, por duke mos harruar as rolin dhe punën e shkëlqyeshme të kryeministrit Britanik Blair dhe kryetarit francez Chirac. Mirëpo, nuk duhet dyshuar se suksesi politik nuk do të ishte as i afërt me këtë të sotmin, po që se në kreun e komandës së NATO-s për Evropë të mos ishte një njeri i aftë dhe i vendosur, si gjenerali Clark.

Pa të dhe ushtarët e tij, kthimi i të zhvendosurve nga Kosova me siguri se do të mbetej vetëm ëndërr. Aleancës Veri-Atlantike dhe udhëheqësisë së saj ushtarake, në veçanti gjeneralit Clark, duhet tu jemi mirënjohës, që na mundësuan të kemi edhe ne një të ardhme të cilën e kemi dëshiruar dhe pritur me shekuj. Nuk është mirë të krahasohen ushtarakët që jetuan në dy kohëra të ndryshme por shumçka është e përbashkët në mes të gjeneralit Clark dhe Skendërbeut. Gjergj Kastrioti, në shekullin XV mbrojti botën e qytetëruar nga rreziku i perandorisë Otomane, kurse gjenerali Clark dhe ushtria e tij mbrojtën Evropën e qytetëruar nga barbaria mesjetare serbe.

Gjenerali Clark ishte emëruar komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Evropë më 11 korrik të vitit 1997. Njëherësh ai ishte edhe komandat i Shtabit të Forcave Ushtarake Amerikane në Evropën. Më parë, nga qershori i vitit 1996 deri në korrik 1997, ai ishte komandant i forcave të NATO-s për Amerikën Latine dhe Karaibet. Në periudhën 1994-1996 ai ishte përgjegjës për planifikimet e politikës ushtarake te SHBA-ve në botë pran Institutit për Planifikime Strategjike. Ai ishte gjithashtu bashkëbiseduesi kyç ushtarak i Aleancës gjatë bisedimeve në Dayton. Gjatë vitit 1994 ai së bashku me Holbrook-un disa herë u takua me liderët e serbëve të Bosnjës për të përgatitur takimin e Dayton-it.

Gjenerali Clark ka si specialitet njësitë e blinduara, me të cilat ka komanduar nga rangu i kompanisë e deri tek divizioni. Si komandant i “Cavalery” divizionit, gjatë viteve 1992-1994, ai e transformoi këtë njësi në forcë të reagimit të shpejtë. Ky divizion u angazhua tri herë gjatë luftimeve në Gjirin Persik. Gjatë luftës së ftohtë, në vitin 1986-1988 Wesley Clark ishte komandant i brigadës së tretë në Divizionin e katërt të këmbësorisë. Më parë ishte komandant i batalionit të parë të brigadës 77 të Diviziont të katërt. Në luftën e Vietnamit, në atë kohë, togeri Clark komandonte me tri kompani, të cilat ishin me detyrë luftarake në Lai Khe. Njësia e tij dallohej nga të tjerat për mënyrën e planifikimit dhe të ndërmarrjes së operacioneve luftarake, çka do të thotë se kishte rezultate të shkëlqyeshme. Për suksest dhe trimërinë e dëshmuar ai u dekorua me shpërblimin Silver Star (ylli i argjentë).

Gjenerali Clark ka kaluar pesë vite në Qendrën Kombëtare të Ushtrimeve (NTC) në Fort Irvin të Kalifornisë, duke u aftësuar si komandant i njësiteve taktike. Ai gjithashtu ka përfunduar shkollimin në Qendrën Komanduese Kombëtare për Luftime, duke u aftësuar për rolin e komandantit të njësive të përziera. Gjatë kësaj kohe ka zhvilluar metodologji të reja ushtrimi në artin ushtarak, duke përpiluar metodologji më të suksesshme ushtrimesh për njësitet e rangut të divizionit dhe të korparmatës, për detyrat e reja në kushte të luftës moderne konvencionale dhe bërthamore.

Gjenerali Clark ka përfunduar Akademinë ushtarake në West Point të New Yorkut, si kadeti më i suksesshëm, i pari në rang. Ai gjithashtu ka përfunduar studimet e larta të ekonomisë dhe politikës në Oksford të Anglisë në vitin 1966-1968. Gjatë kësaj kohe, në mbrëmjet studentore ai shfrytëzonte rastin që me argumentet e tij të mbronte luftën e Amerikës në Vietnam. Ai ka një numër të konsiderueshëm diplomash të shkollave dhe kurseve të ndryshme qofshin të strukturave ushtarake apo të atyre civile. Ndër to mund të veçohen: diploma e Kolegjit Kombëtar të Luftës, të Kolegjit të Komandës së Përgjithshme, të oficerit të njësive të blinduara, atë të doktrinës së përgjithshme, të Rengjerit dhe të komandantit të njësive ajrore të luftës. Në vitin 1976-1977 gjenerali Clark ishte asistent special i drejtorit për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte gjithashtu asistent i profesorit të shkencave Sociale në Akademinë ushtarake të SHBA-ve. Gjenerali Clark mban një numër të madh dekoratash, nga më të lartat shtetërore ushtarake amerikane. Ato janë : Servis medal (tre çmime); Silver Star, Legion of Merit (katër çmime); Bronze Star Medal (dy çmime); Meritios Servis Medal (dy çmime) dhe Army Commendation medal (dy çmime).

Rruga e Wesly Clarkut nga vendlindja e tij në Littel Rock e deri tek komanda e Përgjithshme e NATO-s në Mons të Belgjikës, ishte mjaft e mundimshme. Ai shumë i ri mbeti pa baba, por u adoptua nga bashkëshorti i ardhshëm i nënës së tij, Victor Clark. Këtë gjë si dhe origjinën e tij, Wesley e mësoi shumë vonë, pas moshës 20 vjeçare. Është i lindur me 23 Dhjetor të vitit 1944. Babai i tij biologjik ishte Benjamin Jacob Kanne që kishte origjinë hebreje, i ardhur në Amerikë nga Rusia në fund të shekullit 19-të. Clarku është i martuar me Gertrud Kirgiston nga Bruklini me të cilën ka një fëmijë, Wesley i Riu, i cili studion në Kaliforni.

Wesley Clark nuk duhet të kuptohet si individ, por si njeri nga ata njerëz të cilët ndihmuan të kemi atë që është arritur sot në Kosovë. Lista e atyre që ishin të kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë në situatën në Ballkan është mjaftë e gjatë, por do të duhet të vështrohen ata që me deklaratat dhe punën e tyre ndihmuan në punën e gjeneralit Clark.

Me 23 Mars sekretari i Përgjigjëm i NATO-s Havier Solana urdhëroi komandantin e NATO-s për Evropë, gjeneralin Clark për fillimin e fushatës ajrore ndaj caqeve të ushtrisë serbe. Ai tha “Këtë vendim e morra pas konsultimeve me vendet anëtare të NATO-s, pasi që u bë e qartë se dështoi misioni diplomatik i Richard Holbrook-ut në Jugosllavi”. “Objektivi kryesor i NATO-s është ndalimi i dhunës dhe shtypjes ndaj popullatës civile në Kosovë”- vazhdoi Solana. Ai tha se NATO duhet të marrë përgjegjësinë dhe barrën kryesore për paqe dhe qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit.

Dihet se më parë përpos Holbrook-ut në Jugosllavi disa herë udhëtoi për t’u takuar me udhëheqësin më të lartë të shtetit edhe gjenerali Clark. Askush nga ushtarakët perëndimorë, por edhe një numër shumë i vogël politikanësh, kanë pasur rastin sikurse Clark-u, që të takohen dhe të bisedojnë aq gjatë me Millosheviçin. Pasi ai e njihte mirë kasapin e Ballkanit, personalisht urdhëroi që të sulmohen ato objektiva që do t’i shkaktonin me së shumti dhembje dinastisë Millosheviç. Ai pra urdhëroi që të sulmohet rezidenca e Millosheviçit, televizioni privat i vajzës së tij, fabrika e cigareve që ishte pronë e djalit të Millosheviçit, si dhe shumë objektiva të tjerë të rëndësishëm që ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në paralizimin e jetës në Serbi.

Me 24 Mars, Gjenerali Clark urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore ndaj objektivave ushtarake serbe. Do të thotë se u sulmuan bazat ushtarake serbe, njësitë kundërajrore, sistemet e radarëve. Në këto sulme pos raketave Tomahavk u përdoren edhe ato kryqëzuese të cilat lëshoheshin nga anijet ushtarake që ndodheshin në detin Adriatik, por edhe nga bombarderët strategjik amerikan B-52. Dy ditë më vonë u bë edhe sulmi i parë raketor gjatë ditës.

Komandanti Clark kishte edhe brengat edhe dhembjet e tij sidomos gjatë javës së parë të sulmeve kur njësitë kundër-ajrore serbe rrëzuan aeroplanin luftarak F-117, por edhe zunë rob tre ushtarë amerikanë pas një incidenti.

Përkrahja për Clark-un dhe sulmet ajrore të tyre vinin duke u shtuar. Ato bëheshin edhe më të qarta nga zyrtarët dhe ushtarakët e ndryshëm. Edhe pse Aleanca Verio-atlantike ka 19 vende anëtare asnjëherë gjatë luftës në Kosovë asnjë ushtarak i ndonjë shteti anëtarë nuk doli jashë kornizave të kësaj politike zyrtare ushtarake. Në të kundërtën disa prej deklaratave të zyrtarëve ushtarak ishin edhe më të ashpra se ato të gjeneralit Clark dhe sekretarit të NATO-s Solana. Kështu pra më 1 Prill 1999, Gjenerali Guthrie , shefi i Shtabit të ushtrisë Angleze deklaroi se “është shumë optimist në arritjen e fitores nga forcat aleate ndaj ushtrisë jugosllave”. Ai këtë e shpjegoi me faktin që lufta e ftohtë nuk u fitua nga Rusia dhe Pakti i Varshavës, edhe pse ajo mund të quhej rivale e denjë ushtarake. Lufta në Gjirin Persik nuk u fitua nga Iraku edhe pse në të nuk ishte e kyçur NATO si tërsi”. Ai nënvizonte se nuk duhet të ketë asnjë dilemë në fitoren e Aleancës, e cila për herë të parë është futur një konflikt si tërësi e së cilës i janë bashkangjitur edhe të tjera shtete anëtare të Partneritetit për Paqe, gjithsej 37 vende.

Në dobi të sulmeve ajrore ishin edhe mediat evropiane. Më 2 prill Reuters bën të njohur se masakrat e fundit të ushtrisë dhe policisë serbe ndikuan në ndryshimin e opinionit anglez për luftën në Kosovë. Ndër të tjerat thuhet se 75% e këtij opinioni, në raport me 34% të javës së kaluar, përkrahin sulmet ajrore të NATO-s. Gjithashtu thuhet se 34% nga 19% të javës së kaluar janë në favor të dërgimit të forcave tokësore në Kosovë.

Sekretarja e SHBA-ve, Albright, me anë të deklaratës së saj më 2 prill se “Millosheviçi është përgjegjësi kryesor politik për të gjitha masakrimet dhe dëbimet e popullsisë shqiptare”, tregoi vendosmërinë dhe përkrahjen zyrtare amerikane deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Ajo u shpreh së për parandalimin e tij, qeveria amerikane ka angazhuar një numër të konsiderueshëm politikanësh të vyer , por garancia kryesor e ndalimit të kësaj masakre janë forcat ushtarake të NATO-s dhe fushata e tyre ajrore ndaj caqeve serbe deri në plotësimin e të gjitha kushteve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Ky ishte sinjal dhe një përkrahje e mirë për gjeneralin Clark.

Për të “zbutur” pak tonin ushtarak me 9 Prill, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së propozon planin për paqe në Kosovë. Ky plan ishte pothuajse identik me atë të NATO-s në përmbajtjen e tij dhe kishte pesë pika:

– ndalimi i menjëhershëm i të gjitha aktiviteteve ushtarake dhe paramilitare të njësive serbe.

– ndalimi i menjëhershëm i shpërnguljes me dhunë të banorëve nga Kosova.

– kthimi i pakusht i të gjithë të larguarve nga Kosova.

– përdorimi i një force ndërkombëtare për sigurinë e qytetarëve dhe jetësimin e këtij plani.

– ardhja e virifikatorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

Me 10 Prill, gjatë një konference për shtyp të ministrit britanik të mbrojtjes, për herë të parë u përfshi edhe gjenerali Jackson, atëherë komandant i forcave për reagim të shpejtë. Ky ishte hapi i parë i publikimit të mëvonshëm të komandantit të KFOR-it. Gjenerali Jackson tregoi se është ushtarak i vërtetë kur në një pyetje të gazetarit iu përgjigj se nuk mund të përgjegjet vetëm si ushtarak britanik, por si pjestar i komandës SACER. Ai përforcoi idenë se NATO-ja në Evropë ka vetëm një komandant, gjeneralin Clark, i cili merr vendime.

Me 17 Prill ministri britanik i mbrojtjes, Henderson, gjatë një konference për shtyp deklaroi se “Aleanca po vazhdon t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme ushtrisë jugosllave”. Ai ishte i mendimit se brenda një afati shumë të shkurtër pritet shkatërrimi i plotë i arsenalit ushtarak jugosllav, e në këtë mënyrë Millosheviçi do të detyrohet të gjunjëzohet dhe të pranojë tërheqjen e pakusht të forcave ushtarake dhe policore nga Kosova.

Ai për herë të parë bëri publike se vetëm në detin Adriatik dhe Jon kanë vendosur mbi 33 luft-anije të ndryshme, tri bartëse aeroplanësh, një bartës helikopterësh, 18 anije shkatërruese dhe fregata si dhe disa nëndetëse dhe anije për furnizim. Ai tha se numri i përgjithshëm i aeroplanëve ushtarak është 600 me tendencë rritje, kuptohet sipas kërkesës së gjeneralit Clark.

Një ditë më vonë, gjenerali Clark gjatë një vizite tek njësitë e Aleancës në Maqedoni tha se është i bindur se Millosheviçi do të ballafaqohet me shkatërrimin e plotë të njësive policore dhe ushtarake serbe në Kosovë, por edhe në Jugosllavi, në rast të mospërmbushjes së kërkesave të NATOs.

Pas kërkesës së gjeneralit Clark për dërgimin e helikopterëve “Apache”, me 19 Prill sekretari i NATO-s Havier Solana urdhëroi që helikopterët të nisen për në rajon dhe të jenë të gatshëm për aksion. Fjala ishte për helikopterët AH-64 të specializuar për shkatërrimin e objekteve të blinduara serbe, gjatë sulmeve ditën dhe natën. Raketat me të cilat janë të paisur këta helikopter, mundë të gjuajnë me sukses edhe mbi forcat e përqendruara tokësore të ushtrisë serbe.

Përdorimin e helikopterëve “Apache” në Kosovë gjenerali Clark e shpjegoi me faktin se “Pas bindjes se bombardimet e objektivave serbe nga lartësitë e mëdha nuk po japin rezultate të dëshiruara, prandaj duhet të gjuhen nga lartësi më të vogla. Kjo nënkupton rritjen e saktësisë së qëllimit të caqeve në 100%”.

Shtetet përreth me dëshirën që t’i arfohen sa më tepër strukturës së NATO-s dhanë ndihmesën e tyre. Kështu pra me 20 Prill Bullgaria e lejoi NATO-n të shfrytëzojë hapësirën e saj ajrore, pas garancive të marra nga Aleanca për sigurinë e territorit të saj në rast të sulmeve ajrore. Hapa të ngjashëm ndërmorrën edhe shtetet e tjera në rajon. Në këtë mënyre lehtësohej fluturimi dhe rritej siguria e aeroplanëve, sepse ata kishin mundësi që të futen dhe dalin në të gjitha drejtimet rreth Serbisë.

Në mbledhjen e mbajtur në New York, me 23 prill, 19 vendet anëtare të NATO-s vendosën të bëjnë të gjitha përgatitjet për dërgimin e forcave tokësore në Kosovë. Thuhej se hyrja në Kosovë dhe Jugosllavi duhet të bëhet nga tri drejtime, nga Maqedonia, Hungaria dhe Shqipëria.

24 maj 1998, ministri i Mbrojtjes së Britanisë deklaroi se “NATO ka përparësi futjen e forcave për zbatimin e marrëveshjes, pas tërheqjes së ushtrisë serbe, çka nuk do të thotë se Aleanca nuk do të ndërhyjë me forca tokësore në rast se ushtria serbe nuk i përmbush kërkesat brenda një afati të caktuar”.

Më 18 Qershor pas marrëveshjes së nënshkruar mes përfaqësuesve të KFOR-it dhe atyre të UÇK-së, gjenerali Clark, duke mos fshehur kënaqësinë deklaroi  “Jam i bindur se qysh nga mesnata e sotme do të kemi fillimin e çarmatimit të UÇK-së”. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe komandantëve të tyre me strukturën komanduese të KFOR-it.

Një javë më vonë Wesley Clark deklaroi se çarmatimi i UÇK-së ka filluar dhe se do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të marrëveshjes. Ai ndër të tjera tha se kupton dhimbjen dhe shqetësimin e popullit shqiptarë, posaçërisht të ushtarëve e të UÇK-së, por tani askush nuk ka nevojë të mbajë armë, sepse KFOR garanton sigurinë e të gjithëve në Kosovë.

Clark ka shprehur në vazhdimësi vendosmërinë e tij për mosndarjen e komandës së KFOR-it siç e dëshironte Rusia por edhe Serbia. “Janë marrë të gjitha masat për suksesin e operacionit”, deklaroi ai.

“KFOR-i” do të ketë komandë të njehsuar, edhe pse vendet e veçanta do të ruajnë komandën mbi strukturat e veta ushtarake”, vazhdoi gjenerali.

Gjenerali Clark disa herë ka vizituar Kosovën, pas vendosjes së forcave të KFOR-it. Duhet veçuar vizitën e tij në qytetin e Mitrovicës së ndarë dhe premtimin që i dha popullit të Kosovës se nuk do të ketë ndarje të qytetit, kuptohet as të Kosovës. Para disa ditësh ai ishte në njësitë ushtarake Holandeze të vendosura në Rahovec. Gjatë kësaj vizite, si edhe herëve të tjera, gjenerali Clark shfrytëzoj rastin të bëjë apel tek popullsia civile të kthehet në vendbanimet e tyre duke ju garantuar të gjithëve siguri të plotë nga forca t e KFOR-it.

Për ushtarakun kënaqësia më e madhe është fitorja. Kur dihet se humbjet në radhët e Aleancës ishin vetëm të natyrës materiale, kënaqësia shtohet edhe më shumë. Këtë kënaqësi e ndan edhe populli ynë i cili edhe pse ndodhej buzë asgjësimit fizik kurrë nuk humbi shpresën për një Kosovë të lirë.

Kosova vazhdon të jetojë. Ajo merr frymë më lehtë në ditët e para të lirisë së saj. Mundimet, lotët, gjaku i derdhur kosovar me ndihmën e madhe të Aleancës Verio-Atlantike solli rezultatet e para. Këmba e okupatorit barbar serb me kurrë nuk do të shkelë në trojet tona.

*Marrë nga libri “Operacioni ajror i NATO-s në Kosiovë”,  me autor ish kolonel Vait Golikj, gajtë luftës të Kosovës,  ish këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes  për Mbrojtjen Ajrore.

 

Fraksion.com