AktualitetKosovaOp-EdTë fundit

“Ne dinim edhe orën e saktë”, Lufta e Kosovës, Luan Hajdaraga: Shqipëria në bashkëveprim të plotë me NATO-n

Vait Golikja,  libri   “Operacioni Ajror i NATO-s në Kosovë” 

 

Ndërhyrja e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb në Kosovë për fat të mirë angazhoi edhe Shqipërinë, pati edhe kontributin e madh të Shqipërisë, që jo vetëm vuri në dispozicion të aleancës gjithçka, por edhe u bë streha e rreth 500 mijë shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kosovë. Shqipëria  dhe Forcat e saj të Armatosura i kishin marrë të gjitha masat, për të gjitha eventualitetet, për gjithçka që mund të ndodhte, edhe në qoftë se Serbia mund të ndërmerrte ndonjë aventurë karshi vendit tonë, megjithëse ajo nuk i kishte kapacitetet e nevojshme për një veprim të tillë dhe nga ana tjetër, Shqipëria kishte mbështetjen e plotë të NATO-s.  Ne i kishim marrë të gjitha masat dhe vumë në dispozicion të NATO-s të gjitha mjetet e mundshme që dispononim, të karakterit logjistik, portet, aeroportet, hapësirën ajrore, me qëllim që operacioni i NATO-s të ishte sa më i suksesshëm. Shqipëria bënte pjesë në programin e “Partneritetit për Paqen”, ku kishim aderuar që në 1994-ën, duke dhënë edhe ne një kontribut shumë të vlefshëm në fitoren e NATO-s.

Për të arritur deri këtu, kishte patur një vit masakrash në Kosovë. Cilat kishin qenë reagimet e mëparshme?

Kriza e Kosovës nisi më përpara, që në 1997-ën dhe me kulmin e vitit 1999. Ishin vite kur kriza e Kosovës kërkonte një zgjidhje, sepse kërcënonte jo vetëm paqen dhe stabilitetin në Kosovë, por në gjithë rajonin. Një zgjidhje që plotësonte aspiratat e popullit të Kosovës. Vitet ’98-’99 ishin të mbushura me ngjarje të rëndësishme, ndërsa në territorin e saj ushtronte veprimtarinë e saj edhe UÇK-ja, e cila që nga prezenca e saj në vitin 1997, kishte arritur të bëhej një faktor dominues. Shqipëria, që i ndiqte nga afër ngjarjet, do të merrte masat e nevojshme dhe të shumanshme dhe u kthye në një faktor të rëndësishëm mbështetës të kauzës së Kosovës për të ndalur gjenocidin dhe dhunën serbe.

Sa ishte në dijeni qeveria shqiptare dhe ju si ministër i Mbrojtjes, për sulmet ajrore?

Ne kemi qenë në një bashkëveprim të plotë me NATO-n, qoftë në aspektin politik dhe ushtarak, pasi bënim pjesë në “Partneritet për paqe” dhe kishim filluar përpjekjet për anëtarësimin në NATO dhe, nga pikëpamja organizative, ne ishim në dijeni të plotë, mund të them edhe për orën e saktë që e dinim, valët e avionëve sigurisht do të kalonin mbi territorin shqiptar, ashtu dhe pjesa dërrmuese e veprimeve ushtarake. Pra, në koordinimin e madh ushtarak dhe politik, nuk po flas për detajet e imëta, Shqipëria ishte plotësisht në dijeni.

Kishte patur ndonjë ide që, paralel me sulmet ajrore, të niste edhe ndërhyrja tokësore?

Duhet të keni parasysh se mandati i NATO-s u dha për goditje ajrore, goditje që do të realizonin paralizimin e telekomunikacionit të komandave të ushtrisë jugosllave dhe të organeve të sigurisë, dhe, në rast se këto operacione nuk do të ishin të suksesshme, atëherë ishte parashikuar edhe ndërhyrja tokësore.

Ju kishit informacion atëherë për forcën ushtarake të Serbisë?

Ato nuk janë sekrete, sepse forcat ushtarake serbe mund t’i lexoni në çdo manual dhe janë të ditura dhe ka qenë një ushtri e përgatitur, që kishte eksperiencë. Ajo llogaritej si një forcë ushtarake mesatare, duke patur parasysh madhësinë e vendit, apo ndërhyrjet që ishin bërë nga ushtria serbe në Bosnje.

Çfarë ndihme tjetër dha Shqipëria, përveç ofrimit të lehtësirave aeroportuale?

Do të veçoja operacionet humanitare për mbështetjen e rreth 437 mijë shqiptarëve të Kosovës, që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, që kërkonin strehë, ushqim dhe trajtim mjekësor. Mund të them se ishte një gjendje e jashtëzakonshme, sepse rreth 500 mijë njerëz kishin kaluar kufirin dhe ky ishte një problem shumë i madh jo vetëm për ne, por edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe ne e përballuam me shumë sukses.

Ju ishit pjesëtar i kabinetit qeveritar atëkohë, si ministër i Mbrojtjes. Çfarë ndodhte në mbledhjet e qeverisë ato ditë?

Mbaj mend se mbledhjet ishin më tepër se të përditshme jo vetëm në qeveri, por edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, apo të komiteteve të posaçme që u ngritën në atë kohë pranë qeverisë shqiptare, dhe bëhej mbledhje qeverie edhe në orën 00.10 të natës, sepse situata ishte shumë komplekse dhe kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

Nëse Serbia do të kishte në plan të sulmonte Shqipërinë, ju kishit ndonjë plan mbrojtjeje?

Ne i kishim marrë të gjitha masat, për të gjitha eventualitetet, për gjithçka që mund të ndodhte, por Serbia nuk i kishte kapacitetet e nevojshme për të ndërmarrë një aventurë të tillë, sepse Shqipëria bënte pjesë në një koalicion shtetesh dhe ne kishim mbështetjen e plotë të NATO-s.

Megjithatë, vetëm në Kosovë ishin mbi 40 mijë trupa serbe. Ju çfarë do të bënit nëse ata sulmonin Shqipërinë?

Po, madje do të thosha se ishin edhe më shumë dhe të pajisura mjaft mirë, por ne kishim besimin e plotë se ata nuk do të ndërmerrnin ndonjë aventurë të tillë.

Pra, nuk kishit një skenar alternative, nëse Shqipëria do të sulmohej nga ushtria serbe?

Sipas të gjitha të dhënave që dispononim, Serbia ishte e pamundur që të ndërmerrte një veprim të tillë, sepse do të ishte katastrofale për të.

Pra, ne ishim vetëm me shpresën e NATO-s?

Jo, jo! Ne aktivizuam të gjitha resurset tona, edhe materiale dhe humane, madje një pjesë e mirë e ushtrisë sonë u vendos në brezin mbrojtës, kryesisht në Kukës, Has dhe Tropojë, për të garantuar mbrojtjen dhe integritetin e vendit tonë. Do të thosha se ushtria shqiptare e realizoi më së miri detyrën në mbrojtje të kufijve, për të mos lejuar asnjë cenim të tyre. Ne morën të gjitha masat që të mos kishte incidente të rënda në kufirin shqiptar.

 

Fraksion.com