AktualitetPolitikëTë fundit

Draftstatuti për Asociacionin, Rama: Kontribut konkret për zgjidhjen e ngërçit

Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje që draftstatuti i propozuar nga ana e tij për Asociacionin mbi situatën në veriun e Kosovës, është mirëpritur nga aleatët.

Duke marrë fjalën në festën e 32-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, që u mbajt në sot në Pallatin e Kongreseve, Rama tha se, “mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe përkatësisht për zgjidhjen e ngërçit të madh të asociacionit të komunave me shumicë serbe është pritur tej mase mirë nga aleatët dhe partnerët tanë”.

“Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, as pa e ditur fare edhe përmbajtjen dhe fatkeqësisht njësoj, si në Prishtinë dhe në Beograd, duke thënë se nuk e presin dhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, sepse sipas tyre, secila nga të dyja palët duhet ta bëjë vetë asociacionin sipas mendjes së vet, unë i them dy gjëra: Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë, kur politika merrej me “kush e tha” dhe jo “çfarë tha”, dhe së dyti, vërtetë janë ata që vendosin secili për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre, është dhe i yni, është dhe i disa të tjerëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se, “nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash, një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar, ndërkohë që as njëra palë, as tjetra, nuk i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë, por asnjë të shtënë që të kapërcejnë kufijtë, sepse aty është Amerikë, është NATO dhe aleatëve tanë të mëdhenj po u soset durimi, sepse po kërkojnë paqen përfundimtare, unë ju them që ne, jo vetëm nuk jemi fare të interesuar për atë lojë luftash, por më shumë se kaq, ne jemi plotësisht kundër asaj loje”.

 

Fraksion.com