AktualitetOp-EdTë fundit

A mund të fitojë Perëndimi mbi pjesën tjetër të botës?

Grupi i të Shtatëve (G7), nisi të mblidhej pas krizës së parë të çmimeve të naftës gjatë  viteve 1970. Në dekadat që pasuan, klubi i demokracive më të pasura në botë udhëhoqi rrugën drejt politikës ekonomike globale. Por rëndësia e saj u zbeh pasi ra pjesa e saj në ekonominë globale.

Në vitin 2009, Barack Obama, asokohe presidenti i Amerikës, deklaroi se G20, një grupim më i gjerë që përfshin Kinën dhe vende të tjera të mëdha në zhvillim, do të bëhej forumi kryesor. Pasardhësi i tij, Donald Trump, shkoi më tej, duke e quajtur G7 “të vjetëruar”. Megjithatë, vitin e kaluar, G7 ka gjetur një ndjenjë të re qëllimi në mesin e një krize tjetër, duke u shfaqur si një forum për bashkërendimin e ndihmës për Ukrainën dhe sanksioneve kundër Rusisë. Këto detyra do të kryesojnë axhendën në samitin e kësaj jave të udhëheqësve, që do të mbahet në Hiroshima, vendlindja e kryeministrit të Japonisë, Kishida Fumio.

Lufta kundër sanksioneve ruse është një prioritet. Japonia, ligjet e së cilës e ndalojnë të ofrojë ndihmë vdekjeprurëse ushtarake për Ukrainë, do të marrë rolin kryesor në procesin e rindërtimit të pasluftës, duke u mbështetur tek përvoja e saj në rindërtimin e infrastrukturës pas fatkeqësive natyrore.

Në një qytet emblematik të tmerrit të shkatërrimeve nga një bombë bërthamore, Ukraina do të donte që G7 t’i dërgonte Rusisë një “mesazh të qartë mbi kërcënimet bërthamore” thotë Sergiy Korsunsky, ambasadori i Ukrainës në Japoni. “Është e rëndësishme që udhëheqësit kryesorë t’i thonë “Jo” Rusisë dhe të tërheqin një vijë të qartë ndarëse”- shton ai.

Por mbështetja e G7-ës për Ukrainën, ka treguar gjithashtu distancën midis botës së pasur dhe asaj në zhvillim në luftë. Edhe nëse shqetësohen nga pushtimi i Vladimir Putinit, shumë vende më të varfra po ngurrojnë ta dënojnë atë me forcë, dhe përgjithësisht ankohen vetëm për ndikimin e tij në tregjet e ushqimit dhe energjisë.

Ky hendek e shqetëson Japoninë, kryesuesin aktuale të G7 (dhe të vetmen anëtare aziatike të klubit). Prandaj zyrtarët japonezë ndërmorën një turne global vizitash përpara samiti të  Hiroshimës. Gjatë 2 muajve të fundit,  Kishida ka vizituar Indinë, Egjiptin, Mozambikun, Ganën, Kenian dhe Singaporin.

Ndërkohë Ministri i tij i Jashtëm, Hayashi Yoshimasa, zhvilloi një tur në Amerikën Latine. “Në mesin e pushtimit rus të Ukrainës, disa vende në Jugun Global po përballen me vështirësi të mëdha… Po ashtu ka një lëvizje për të ndarë botën, duke përfituar nga situata të tilla- deklaroi Kishida në një intervistë me “The Economist”, duke përdorur një gjuhë të kujdesshme.

Privatisht, zyrtarët dhe diplomatët japonezë japin një vlerësim më të hapur: Perëndimi po humbet ndaj Kinës kur bëhet fjalë për afrimin me të ashtuquajturit Jug Global. Fuqia ekonomike relative e G7-ës ka qenë në rënie, dhe bashkë me të edhe tërheqja e rendit ndërkombëtar që përfaqëson ai.

Pjesa e anëtarëve të klubit në PBB-në globale në terma nominalë, arriti kulmin në gati 70 për qind në fund të viteve 1980, por u ul nën 45 për qind në vitin 2021. Në termat e barazisë së fuqisë blerëse, grupimi BRICS, ku bën pjesë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, e ka tejkaluar tashmë atë të vendeve të G7-ës.

Të dërguarit japonezë, mendojnë se Perëndimi nuk po arrin të bindë shumë vende në zhvillim mbi përfitimet që kanë nga rendi global aktual. Ata raportojnë se kanë dëgjuar një sërë ankesash për Amerikën nga liderët diku tjetër: në lidhje me trazirat në politikën e brendshme amerikane; mungesën e ofertave ekonomike në politikat tregtare amerikane; mungesën e respektit për ta në radhët e diplomacisë amerikane.

Po ashtu, ata shqetësohen se elitat në pushtet në shumë vende në zhvillim, kanë filluar të preferojnë të merren me Kinën, e cila ofron më shumë stabilitet, më shumë rrugë dhe ura, dhe më pak leksione. Në vlerësimin e Japonisë, predikimi amerikan për demokracinë, ka rezultuar veçanërisht i paefektshëm.

“Demokracia liberale ka dëshmuar të jetë më pak joshës sa dikur”- thotë një zyrtar japonez.

Japonia shpreson të ndikojë në reduktimin e retorikës (së preferuar nga Presidenti Joe Biden) për një betejë midis demokracisë dhe autokracisë, në favor të një mbështetjeje më të fortë të G7-ës për sundimin e ligjit.

Zyrtarët japonezë mendojnë se në vend të vlerave më të mjegullta, qëndrimi për paprekshmërinë e kufijve, do të tërheqë një gamë më të gjerë partnerësh potencialë, dhe do t’i bëjë më të qarta përfitimet e një sistemi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe jo tek fuqia e ashpër.

Po ashtu, ajo shmang detyrimin e vendeve për të bërë një zgjedhje midis fuqive liberale dhe jo-liberale, sugjeron një tjetër zyrtar japonez. “Ne nuk mbështesim krijimin e blloqeve të reja”- theksoi ai. Vetë Kishida e artikuloi këtë ide në mars gjatë një fjalimi që mbajti në  vizitën që zhvilloi në Indi, që këtë vit drejton G20-ën dhe e sheh veten si lideren e Jugut Global.

India është një nga tetë të ftuarit për të vëzhguar samitin në Hiroshima, së bashku me Indonezinë, kryesuesja aktuale e ASEAN; Comoros, kreu i Bashkimit Afrikan; Ishujt Cook, kryetarja e forumit të Ishujve të Paqësorit; dhe Australia, Brazili, Koreja e Jugut dhe Vietnami.

Japonia po përpiqet që të “zgjerojë listën e atyre me të cilët flasim por edhe si flasim me ta” thotë Rahm Emanuel, ambasadori i Amerikës në Japoni. “Shtetet e Bashkuara janë 100 për qind në mbështetje të kësaj qasjeje”- thekson ai.

Po ashtu, Japonia shpreson që ta përdorë samitin e këtij viti për të lidhur shqetësimet e sigurisë të G7-ës, kryesisht mbi rajonin euroatlantik dhe Indo-Paqësorin. “Takimi është një kundër përgjigje ndaj luftës dhe një kujtesë se si të pengojmë një luftë tjetër në të ardhmen”,- shprehet Emanuel.

Kishida e ka lidhur luftën në Ukrainë me kërcënimet e Kinës kundër Tajvanit. “Përdorimi i forcës për të ndryshuar statuskuo-në nuk duhet të tolerohet në asnjë rajon, qoftë në Evropë apo Azi”- u tha ai gazetarëve. Kur Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës u takuan muajin e kaluar, ata synuan të arrinin mbështetje të unifikuar për Tajvanin në vazhdën e vizitës së Emmanuel Macron në Pekin, një udhëtim që i tronditi zyrtarët japonezë.

Takimi i liderëve në Hiroshima, mund të prodhojë një deklaratë vijuese mbi një qasje të përbashkët ndaj “shantazhit ekonomik”, ose praktikës së Kinës për të përdorur ndërvarësinë ekonomike për të ndëshkuar të tjerët nëse kundërshtojnë qasjen e saj gjeopolitike.

Kështu, samiti pasqyron rolin diplomatik, ndërtimin e konsensusit dhe rolin strategjik, që Japonia e sheh veten të luajë në një botë në ndryshim. “Japonia duhet të ndërtojë ura komunikimi”- thotë Jimbo Ken nga Universiteti Keio në Tokio. Diplomacia japoneze është e përshtatshme për këtë qasje, sidomos në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Japonia e kupton rajonin “shumë më mirë se çdo anëtar tjetër i G7-ës”- thotë Bilahari Kausikan, një ish-diplomat i lartë nga Singapori. E megjithatë, qasja e matur e Japonisë ka disa anë negative. Zyrtarët japonezë janë të gatshëm të flasin për sundimin e ligjit “ndërkombëtar, por jo brenda” vëren Sahashi Ryo nga Universiteti i Tokios.

Heshtja ndaj abuzimeve të të drejtave apo prapësimit të demokracisë, për hir të krijimit të koalicionit rrezikon të lejojë acarimin e problemeve në të ardhmen. Siç e ka treguar Putin, diktatorët e pakufizuar nga kontrollet dhe balancat e bezdisshme në vend, e kanë më të lehtë të nisin sulme të paligjshme ndaj fqinjëve të tyre.

Dhe, siç kanë treguar ukrainasit, është më e lehtë t’u rezistosh atyre sulmeve kur ka vlera të artikuluara qartë dhe që çmohen si dhe kur ka një territor për të cilin mund të luftosh./The Economist

 

Fraksion.com