Life StyleTë fundit

Nga telefonata me Stefano Gabbana te beteja me sëmundjen që u kthye në kauzën e saj, rrëfehet Endi Demneri

“Miss Universe Albania 2023”, Endi Demneri, është rrëfyer së fundmi rreth disa detajeve shumë interesante. 24-vjeçarja pak muaj më parë shkëlqeu në Javën e Modës në Milano në sfilatën e “Dolce & Gabbana”. E ftuar te “Rudina” nëTv Klan ajo tha se bashkëpunimi erdhi si rezultat i një momenti shumë fatlum dhe iu komunikua nga vetë Stefano Gabbana. “Miss”-i shton se gjithçka ishte si një ëndërr, vëmendja ishte e gjitha tek ajo por i dukej kaq e vështirë për ta besuar sa nuk rezistoi dot pa pyetur për arsyen pse ishte përzgjedhur dhe përgjigja është befasuese.

“Vjet ka qenë dasma e vëllait tim dhe për dasmën e vëllait tim zgjodha një fustan tek “Dolce & Gabbana”. Ky fustani ishte “haute couture” që quhet linja elitë ku jo shumë vajza mund të kenë mundësi ta marrin, por meqë ishte eventi dasma e vëllait tim, normalisht që mami dhe babi do ta bënin këtë gjë për mua. Kam qenë me pushime kur më bie telefoni dhe shikoj emrin e asaj gocës që punon me mua për të më gjetur veshjet, “personal shopper”. Dhe lexoj emrin e saj dhe thashë okej nuk do ia hap tani se e dija që te dasma e vëllait m’u thye çanta dhe ia bënte mami im “syri, syri, syri” dhe thashë s’po ia hap se po më merr për çantën. Ajo më çon messazh “të lutem Endi hape telefonin”.Okej thashë, po e hap, më thuaj Elvira, më tha “zemër, do të të flasë dikush”. Okej dhe e hap telefonin Stefano Gabbana dhe më thotë “përshëndetje Endi, midis 100.000 vajzash, 2 janë zgjedhur në Europë dhe je ti dhe një vajzë tjetër për të qenë pjesë e familjes së madhe Dolce & Gabbana. Kur jam kthyer kisha darkë me Stefano-n, Domenico-n dhe Alfonso-n. Alfonso është CEO, kryesori i “Dolce & Gabbana”. Në një moment, unë jam pak tip çuni kështu dhe e pyes, i them okej më thuaj të vërtetën, pse unë? Cila ishte arsyeja që u zgjodha unë? Më tha “ti akoma nuk e di se çfarë bukurie ke përbrenda. Të kemi zgjedhur ty se ti Endi nuk e lë veshjen të të veshë, ti e prezanton atë dhe e bën me shpirt gjënë”.-rrëfeu ajo.

Endi do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin botëror në El Salvador në dhjetor të këtij viti. Veç të tjerash, bukuroshja sqaron edhe kauzën e saj në “Miss Universe”, e cila e ka zanafillën nga një përjetim personal.

“Gjëja e parë që ndryshon është që nuk jam më vetëm Endi. Jam Endi Demneri “Miss” i Shqipërisë. Në radhë të parë, kam bërë familjen time krenare. Dua që mbiemri im, ngaqë është më i vjetri në Shqipëri, të dëgjohet dhe traditat të vazhdojnë. Përveç kësaj dua që të inspiroj të gjitha vajzat e vogla që po rriten dhe të mendojnë dhe të kuptojnë që të qenurit Miss, të qenurit një vajzë në show mund të ndihmojmë dhe të aspirojmë vetëm për të mirë. Kemi fuqinë tani që të bëjmë gjëra të mira për vendin tonë të vogël.

Është një sëmundje që quhet endometriosis. Kjo është kauza ime në “Miss Universe”. Dua të bëj vajzat e vogla dhe në moshën time, as nuk diskutohet, të kuptojnë që në qoftë se nuk ndihen mirë me veten, ka një gjë që s’ shkon, nuk kanë dëshirën për të filluar ditën, dëshirën për të ndërmarrë gjëra për veten e tyre, është me të vërtetë një gjë që nuk shkon te to. Duhet kuptuar që asgjë nuk të ndalon ty, e vetmja gjë që mund të të ndalojë është një sëmundje që në Shqipëri dhe në vendet e vogla akoma nuk njihet. Endometriosis është një sëmundje që është në organin riprodhues të femrës dhe ndikon në mendjen e vajzës. Në momentin që ti e kap, duhen 7 vite për ta diagnostikuar këtë lloj sëmundjeje. Është shumë e vështirë dhe në momentin që gjendet, diagnostikohet dhe varet se në çfarë faze është. Fati im ishte që isha në fazë të parë dhe munda ta largoja plotësisht si sëmundje. Po, ka kurim por deri në fazën e tretë. Në qoftë se je sipër fazës së tretë, ti duhet ti nënshtrohesh një trajtimi me vite. Kjo lloj sëmundje ty të ndikon në mendje, në gjendjen shpirtërore dhe në riprodhim. Në qoftë se e lë këtë sëmundje të vazhdojë, mund të arrish në momentin që nuk mund të kesh më një beb. Është një sëmundje që nuk dihet se nga vjen, por është vendimtare për jetën e një femre.”-rrëfeu ajo.

 

Fraksion.com