AktualitetPolitikëTë fundit

Kolegji i kryetarëve të PD: Përpjekjet për t’u imponuar përtej votës, të dështuara

Kolegji i kryetarëve të Partisë Demokratike reagoi sot përmes një deklarate në lidhje me incidentin e ndodhur pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie që vendosi hapjen e zgjedhjeve të reja brenda strukturave dhe për kryetarin. Deputetët që votuan kundër apo që u larguan nga mbledhja e Kryesisë, sipas medieve të pranishme, u përballën me gjuhë ofenduese nga grupe mbështetësish të ish-kreut Lulzim Basha.

“Kolegji i Kryetarëve në mbështetje dhe në besim të plotë të organeve drejtuese të Partisë Demokratike dënon çdo akt dhune duke bërë thirrje për të respektuar zgjidhjet dhe vendimet institucionale”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike””, vijon deklarata.

“Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë, i shërben atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike”, thuhet më tej.

“Mendimet ndryshe, alternativat për zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike, zgjidhen me të vetmin mjet demokratik që garanton standardin e çdo procesi dhe kjo është vota. Përpjekjet për t’iu imponuar anëtarëve të Partisë Demokratike me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe bashkërendimin e aksionit tonë politik”, përfundon deklarata.

 

Fraksion.com