Gara për kryetarin më 29 korrik: Disa anëtarë braktisin mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike
Kryesia e Partisë Demokratike doli me vendimin për hapjen e garës për kreun e ri të partisë me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime.
Vendimi u mor që gara për kreun e ri të demokratëve të mbahet më 29 korrik. Mbledhja e Kryesisë së PD-së është përfshirë nga debate mes anëtarëve.
Disa prej anëtarëve kanë braktisur mbledhjen, mes tyre Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati dhe Dhurata Çupi.
Ish kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko e cilësoi thikë pas shpine braktisjen e mbledhjes së Kryesisë së PD-së nga disa prej anëtarëve.
“Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët dhe besojmë se gjithsekush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD. Unë i propozova të dy propozimet, i përputha në një. Muaji gusht nuk bëhen dot zgjedhjet në parti. Kur u largua sekretari i përgjithshëm nuk e mora vesh se si iku. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe iki”. Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve ishte i tillë. Është thikë pas shpine për PD. Veprimet që i kanë bërë gjithsecili mban përgjegjësi dhe për demokratët sot dhe nesër. Kemi nevojë për mbështetje jo për shkelma”, tha Bejko.
Kryesia ka lënë afat që deri më 20 qershor të dorëzohen kandidaturat për kreun e PD-së, ndërsa kandidatët do të kenë rreth një muaj afat për fushatë zgjedhore.
Nga ana tjetër, mes shumë debateve në kryesi, Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Demokratike.
Fraksion.com