Rusia pretendon se e ka penguar ofensivën ukrainase në Donjeck
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se e ka penguar një ofensivë masive ukrainase në Donjeck.
Ajo ka pretenduar se i ka vrarë 250 trupa ushtarake ukrainase, dhe se ka shkatërruar pajisje të armatosura.
Në video – për të cilën Rusia ka thënë se shpërfaq betejën – shihet një betejë lufte me shumë pajisje luftarake të përfshira nga flakët.
Kievi nuk e ka komentuar ende këtë pretendim, dhe as Radios Evropa e Lirë nuk e ka verifikuar atë në mënyrë të pavarur.
Për kundërofensivën ukrainase flitet shumë në muajt e fundit, dhe Kievi ka thënë se nuk do të japë paralajmërim për nisje të saj.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Ukraina e ka nisur “ofensivën e shkallës së gjerë” në rajonin e Donjeckut, duke i përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh.
Ajo ka pretenduar se ukrainasit kanë tentuar të depërtojnë në mbrojtjen ruse, por se, sipas ministrisë, “nuk ka pasur sukses”.
Moska ka pretenduar se Ukraina i ka humbur 250 trupa ushtarake dhe 16 tanke.
Ukraina është duke u përgatitur që disa muaj për kundërofensivë.
Mirëpo, ajo ka kërkuar sa më shumë kohë që mundet për t’i trajnuar ushtarët dhe për të marrë ndihmën e ofruar nga aleatët perëndimorë.
Zyrtarët në Kiev kanë paralajmëruar kundër spekulimeve publike për ofensivën, duke thënë se diçka e tillë do t’i ndihmojë armikut.
“Planet e duan qetësinë. Nuk do të ketë njoftim për nisje”, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes, të dielën.
Rëndësia e kundërofensivës është e madhe, pasi Qeveria në Kiev duhet t’ia dëshmojë popullit të Ukrainës – por edhe Perëndimit – që mund t’i thyejë linjat ruse dhe t’i rikthejë territoret e pushtuara.
Ndërkohë, luftëtarët që e kundërshtojnë Qeverinë në Moskë, kanë thënë se i kanë zënë disa ushtarë rusë në Belgorod, afër kufirit me Ukrainën.
Ky pretendim është bërë nga Legjioni i Lirisë së Rusisë, bashkë me Trupat Vullnetare ruse.
Ato e kundërshtojnë luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
Fraksion.com